Shkup, 11 qershor – Grupi i Punës pranë Ministrisë së Drejtësisë ka përgatitur propozim-ndryshimet për Këshillin Gjyqësor në përputhje me rekomandimet e misionit vlerësues të BE-së. Ndryshohen kushtet për përzgjedhjen e anëtarëve, si dhe saktësohet procedura për përgjegjësi disiplinore individuale të anëtarëve të Këshillit. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se synojnë përforcimin e gjyqësorit, profesionalizmit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.
“Me ndryshimet parashikohet rritja e përvojës së punës së gjykatësve nga 6 në 15, të rritet përvoja e punës, ndërkaq vihet edhe cenzusi për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Për t’u përzgjedhur, kandidati duhet të fitojë mbi gjysmën e votave të votuesve.”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Ndryshimet vijojnë pas paralajmërimeve të qeverisë së ardhshme se do ta shpërbëjë plotësisht Këshillin Gjyqësor dhe anëtarët të zgjidhen nga radhët e gjykatësve. Ministri i Drejtësisë në largim, Krenar Lloga, thotë se ShBA-ja dhe BE-ja s’do pajtohen me shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor.
“Në mënyrë të prerë na është thënë në raportin e misionit vlerësues se duhet të ketë vazhdimësi dhe institucionet shtetërore të mos kalojnë nëpër trauma, të cilat duhet të kenë përbërje të re, e cila do të vlerësojë gjykatësit.”, – deklaroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
Për 17 rekomandimet të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e punës së Këshillit pa ndryshime ligjore, anëtarët e Këshillit Gjyqësor veç më kanë bërë ndryshime të Rregullores së Punës, si dhe Rregullores për Klasifikimin e Kandidatëve për Gjykatës, ndërkaq miratuan edhe strategjinë e re për transparencë më të madhe.