Ministria e Shëndetësisë konfirmon mbërritjen e variantit “delta” të COVID në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë me anë të një deklarate për publikun ka njoftuar se pas testeve virologjike të dërguara për ekzaminim në Gjermani, është vërtetuar se varianti “delta” i koronavirusit (genomi B.1.617.2.) është prezent edhe në vendin tonë.

 

Mbërritja e këtij varianti, i cili ashtu siç nënvizohet dhe në lajmërimin e Ministrisë së Shëndetësisë është më i transmetueshëm se varianti standart, ishte çështje kohe teksa në të gjitha vendet e rajonit ishin regjistruar një numër i madh infektimesh me të.

MSh bën thirrje për vaksinimin masiv të të gjithë qytetarëve si dhe për respektimin e plotë të masave anti-COVID ende në fuqi, për të shmangur skenaret e vitit të kaluar.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se,

në vijim të procesit të monitorimit të situatës së Pandemisë COVID-19 nga Instituti i Shëndetit Publik, pjesë e së cilës është dhe monitorimi për variantet qarkulluese, nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë – Charite në Berlin të Gjermanisë, ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi varianti Delta B.1.617.2.

Konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, i dyshuar nga sinjalet laboratorike dhe tashmë i konfirmuar nga Laboratori i Referencës në Berlin, përkon dhe me rritjen e infektimeve në 2 javët e fundit në vendin tonë.

MSHMS apelon qytetarët të vaksinohen në qendrën më të afërt të vaksinimit, në qendër shëndetësore, qendrat e vaksinimit masiv apo me njësitë lëvizëse.

Vaksinimi, shpëton jetë! Vaksinat veprojnë, ato reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.

Ministria e Shëndetësisë i drejtohet të gjithë qytetarëve të zbatojnë rigorozisht masat parandaluese:

Vetëkarantinimin paraprak në rastet kur keni shenja të virusit Covid19 apo nëse keni patur kontakte me persona të konfirmuar me këtë virus.

Ftojmë qytetarët të kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes për çdo dyshim dhe të zbatojnë udhezimet e mjekut për protokollin e ndjekjes dhe trajtimit. Për çdo emergjencë shëndetësore kontaktoni në numrin unik 127 me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Edhe një herë, Ministria e Shëndetësisë apelon për vaksinim masiv, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm.

Aktualisht në Shqipëri janë kryer 1,134,085 vaksinime, nga të cilat, 496,714 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës anticovid. Edhe sot vijon vaksinimi i hapur për çdo qytetar +18 vjeç në qendrat e vaksinimit kudo nëvend, deri në orën 8 të mbrëmjes.

Related posts

Tiranë: Drejtësia e re dhe të korruptuarit “e paprekshëm”

N E

Mbërrijnë rreth 32 mijë doza të vaksinës Pfizer në Shqipëri

D V

“Çfarë bëri qeveria e Ismail Qemalit për Shkodrën e rrethuar”, Shaban Murati ka një kërkesë për rishkruesit e historisë zyrtare

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com