Ministrit dhe institucionet tjera në vend të luftës ia hapin krahët korrupsionit!

nga I.A

Shkup, 5 korrik – Korrupsioni me shumë gjasë është fjala më e përmendur në Maqedoninë e Veriut, përmendet edhe nga ata që korruptojnë e janë të korruptueshëm, edhe nga ata që e luftojnë edhe nga ata që frikësohen, pra çdokush që e kupton fjalën korrupsion e përmend në çdo bisedë kur flitet për të ardhmen e vendit, e politikbërjen në vend. Por, korrupsioni si shqetësim nuk përmendet vetëm nga qytetarët, ambasadat e huaja kanë qenë çdoherë me zë kritik ndaj këtij fenomeni. Ministritë dhe komunat në vend, janë të zhytura në korrupsion. Këtë e tregon raporti i fundit i qendrës për komunikime civile. Sipas QKC-së asnjë ministri apo komunë në vend nuk ka nivel të lartë të mbrojtjes nga korrupsioni në furnizimet publike. QKC ka publikuar renditjen e Qeverisë, ministrive dhe komunave sipas 32 treguesve për performancën kundër korrupsionit në furnizimet publike, shkruan Zhurnal.

Tenderët rruga përmes të cilës bëhej korrupsioni në komuna dhe ministri –

Ministritë dhe komunat në vend, janë të zhytura në korrupsion. Këtë e tregon raporti i fundit i qendrës për komunikime civile. Sipas QKC-së asnjë ministri apo komunë në vend nuk ka nivel të lartë të mbrojtjes nga korrupsioni në furnizimet publike. QKC ka publikuar renditjen e Qeverisë, ministrive dhe komunave sipas 32 treguesve për performancën kundër korrupsionit në furnizimet publike.

“Asnjë institucion i vetëm nuk është në zonën e gjelbërt, të mbrojtjes së lartë ndaj korrupsionit, me një performancë antikorrupsion me mbi 80 %. Katër ministri dhe 43 komuna gjenden në zonën e kuqe, gjegjësisht furnizimet e tyre publike kryhen me nivel të ulët të mbrojtjes nga korrupsioni, sepse kanë performancë kundër korrupsionit më të ulët se 50%”.

Sipas renditjes, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërkomunitare kanë ekspozimin më të lartë ndaj korrupsionit ndërsa me performancën më të mirë kundër korrupsionit, arritja e së cilës është 72 % janë Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave.

Sa i përket komunave, niveli më i ulët i performancës kundër korrupsionit në furnizimet publike është përcaktuar në Kratovë dhe Gostivar. Në zonën e kuqe ndodhet qyteti i Shkupit, si dhe 40 komuna të tjera. Performancën më të mirë kundër korrupsionit në prokurimin publik e ka Komuna e Kavadarit me 70%, si dhe Komuna e Velesit dhe Probishtipit me 66 %.

Pengesa kryesore për investitorët e huaj ka qenë korrupsioni –

Qeveria si institucioni kryesor ekzekutues në vend, në kuadër të së cilit funksionojnë ministritë e ndryshme e drejtori që janë përgjegjëse për tërheqjen e investitorëve të jashtëm, nuk kanë rezultuar të suksesshëm në këtë drejtim. Agjencia për Investime të huaja në letargji të thellë. Maqedonia e Veriut nuk po arrin të kalojë pragun vjetor të investimeve të huaja prej 1 miliard eurove, pavarësisht paralajmërimeve se anëtarësimi në NATO përkthehet me më shumë investime të huaja.

Vend stabil, jo kërcënues, në paqe totale por sërish Maqedonia e Veriut po dështon në tërheqjen e investitorëve të huaj në vend, dhe sigurisht që ky dështim nuk i etablohet një individi por një grupacioni të tërë që kanë mekanizma dhe janë përgjegjës për këtë çështje.  Viktor Mizo, kryetari i Këshillit të Investimeve të Huaja, thotë se shteti duhet të merret me luftën kundër korrupsionit nëse duam të kemi një ekonomi më të mirë. “Korrupsioni është një problem i madh dhe i largon investitorët e huaj”, pati deklaruar Viktor Mizo në “ClickPlus”.

Mizo tha se qeveria e re ka një plan dhe se prej saj priten rezultate të shpejta dhe konkrete në ekonomi, duke qenë se fitoi me diferencë të madhe ndaj kundërshtarit.

“Pritshmëritë janë të mëdha, sa më i madh të jetë diferenca mes kundërshtarëve, aq më të mëdha janë pritshmëritë. Qytetarët presin rezultate të shpejta dhe konkrete. Ekonomia duhet të jetë në fokus, nëse është e mirë do të ecim përpara. Ne presim edhe shtetin ligjor dhe zhdukjen e korrupsionit, sepse është kthyer në një fenomen masiv”, ka thënë Mizo.

“Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është kancer me metastaza që çdoherë pengon progresin”

Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 31 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit.

Megjithatë, një luftë e tillë ende nuk është parë në terren, ajo që publikohet në rrjete sociale dhe që thuhet në fushatë elektorale është krejtësisht tjetër dhe ka dallim të madh nga ajo që shihet në praktikë. Maqedonia e Veriut shtet i pavarur që 31 vite, që 17 vite shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk ka marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. Kjo mbase edhe nuk po ndodhë rastësisht e as për inati të askujt, po ndodhë sepse Maqedonia e Veriut po ka problem serioz me korrupsionin, e që në BE nuk pranohen shtetet që kanë problem me korrupsionin. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More