Agjencia Zhurnal.mk

Miratimi i kornizës negociuese, “armë” shtesë për partitë në pushtet gjatë fushatës

Shkup, 2 korrik, zhurnal.mk – Gjatë kohës kur Maqedonia e Veriut është në fushatë për zgjedhjet e 15 korrikut, Komisioni Europian, njoftoi të mërkurën se i ka paraqitur Këshillit, projektin e kornizës së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përcaktuar udhëzimet dhe parimet për këto bisedime. Projekti është një përgjigje e kërkesës së vendeve anëtare e bërë në mars të këtij viti, kur Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme mori vendimin për hapjen e bisedimeve me të dy vende.

Korniza e negociatave përcakton udhëzimet dhe parimet mbi të cilat do të udhëhiqet ky proces. Sipas një deklarate të Komisionit, “korniza ndahet në tri pjesë: parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit, përmbajtja e tyre dhe procedura që do të ndiqet. Objektivi i negociatave është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ta miratojnë në tërësinë e tij legjislacionin e BE-së dhe të sigurojnë zbatimin e plotë dhe futjen në fuqi të tij pas anëtarësimit”.

Ish Ambasadori, Muhamed Halili në një prononcim për Zhurnal shprehet se partitë politike gjatë fushatës do të tentojnë të poentojnë politikisht me aktin e djeshëm të miratimit të draftit negocionues.

Sipas tij kjo gjë duhej bërë sidomos kur nga dje Gjermania mori kryesimin me BE-në.

“Po ata tashmë edhe kanë filluar se edhe konferenca për shtyp e Bujar Osmanit ishte në atë linjë. Natyrisht se partitë politike askush nuk i ndalë që të lavdërohen dhe të bëjnë poentim në favor të tyre por rezultati është se kjo gjë duhej bërë aq më tepër kur më 1 korrik Gjermania e mori kryesimin me BE-në për gjashtë muajt e ardhshëm dhe si shtet i cili është kryesorë në integrimet europiane tenton të shënojë rezultate ashtu siç shënoi rezultate Kroacia në mars, me hapjen e negociatave pa datë, të njejtën gjë do ta bëjë në mënyrë edhe më efektive Gjermania natyrisht duke synuar se poqëse vendet kandidate i realizojnë kushtet e parapara që të caktojnë edhe datë definitive për hapjen e negociatave. Për këtë e kanë bërë edhe draftin e kornizës i cili draft me siguri se do të bëhet dokument final dhe në fund të dhjetorit aq sa e ka presidenca e Gjermanisë pastaj natyrisht vjen pjesa më e vështirë e fillimit të negociatave”, ka deklaruar për Zhurnal, ish Ambasadori, Muhamed Halili.

Ndryshe, shtetet Anëtare, kanë marrë njëkohësisht dhe një përditësim të ecurisë që të dy vendet kanë realizuar nga muaji mars kur u mor dhe vendimi në favor të hapjes së bisedimeve. Pasi t’i kenë miratuar kornizat e negociatave, Presidenca e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian do të paraqesë pozicionin e dakortësuar të BE-së, në konferencën e parë ndërqeveritare me secilin vend, e cila do të shënjojë dhe fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit. Pikërisht në këtë fazë kornizat e negociatave do të bëhen publike.

Komisioneri europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi deklaroi se “dita e sotme shënon një tjetër hap të rëndësishëm rrugëtimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Duke mbajtur angazhimin tonë, ne përcaktojmë korniza konkrete për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit. Propozimet tona bazohen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit që kemi paraqitur në shkurt për ta bërë procesin e anëtarësimit më të besueshëm, me një orientim më të fortë politik, më dinamik dhe të parashikueshëm”, u shpreh komisioneri Varhelyi, duke shtuar se “pres me padurim diskutimet me shtetet anëtare dhe mbajtjen sa më shpejt të konferencave të para ndërqeveritare me dy vendet. E ardhmja e tyre qëndron qartazi në Bashkimin Evropian dhe unë jam i sigurt se ato do të vazhdojnë të zbatojnë reformat në udhën e tyre drejt BE-së, ashtu siç kanë bërë deri më tani”.

KE-ja e përfundoi tekstin e kornizës negociuese dhe ia dorëzoi Këshillit të BE-së. Ky është vetëm një projekt version dhe pritja ime është që teksti përfundimtar të pranohet deri në tetor. Është mirë që kjo po ndodh gjatë presidencës gjermane, e cila është një mbështetëse e madhe e rrugës sonë evropiane, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në një konferencë për shtyp para Sekretariatit për Çështje Evropiane.

Bëhet fjalë për projekt version, theksoi Osmani, që është baza, mbi të cilën vendet anëtare do të shprehin pikëpamjet e tyre kombëtare dhe pastaj korniza do të miratohet me konsensus.

“Pastaj pritet të caktohet edhe seanca e përbashkët ndërqeveritare”, tha Osmani.

Në fund, Osmani edhe njëherë uroi për suksesin historik.

“Është e qartë se BE-ja, edhe krahas sfidave me korona krizën nuk e ngriu procesin e zgjerimit. Urime deri te Oliver Varhei dhe Ursula fon der Lejen, por edhe deri te presidenca kroate. Jemi në mes të një fushate politike dhe shpresoj që pas 15 korrikut do të kemi një qeveri të qëndrueshme të përkushtuar në rrugën evropiane”, tha Osmani.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...

Regjistrim Domain, Ueb Hosting, Uebfaqe për kompaninë tuaj, vetëm për    273 euro

error: Content is protected !!