Agjencia Zhurnal.mk
Kulturë

“Mirëdita, dobar dan!” në Beograd për të kaluarën, luftën e kujtesën

Sa herë që kapërthehet edhe një edicion i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, mbarëvajtja e tij varet ose nga situata politike midis Kosovës dhe Serbisë ose reflekton mbi ngjarjet ku nyjëtohen dy vendet. Sivjet me rifillimin e procesit të negociatave në Bruksel dhe me nënshkrimin e marrëveshjes së Washingtonit, organizatorët nuk kishin sesi t’i iknin asaj që u konsiderua si marrëveshje historike. Por, marrëveshjet politike dhe ekonomike janë vetëm korniza, ndërsa thelbi qëndron në afrimin e shoqërive të Serbisë dhe Kosovës.

Kështu mendon Ivan Gjuriq, drejtor i programit të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, e cila është një nga organizatorët e festivalit. Sipas tij, shqiptarët dhe serbët duhet ta njohin njëri-tjetrin.

“Të mësojnë për njëri-tjetrin, të jenë me njëri-tjetrin. T’i thonë njëri-tjetrit: ‘Mirëdita, dobar dan!’”, ka thënë ai në njoftimin në prag të nisjes së këtij edicioni, i shtati me radhë. “Mirëdita, dobar dan!” do të nisë sonte (e enjte) në Beograd dhe zgjat deri të dielën.

Nëpërmjet prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të vendit, ka për qëllim t’i bashkojë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe të Serbisë dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve.

Festivali do të nisë me shfaqjen teatrore “Unë jam vetë grua”, nën regji të Kushtrim Koliqit, në të cilën Adrian Morina, si aktori i vetëm në skenë, luan më shumë se 30 personazhe. Ai pasqyron jetën e një prej transgjinoreve më të njohura jo vetëm në Evropë. Gjermania Charlotte von Mahlsdorf është transgjinorja që u ka mbijetuar dy sistemeve diktatoriale, por në demokraci kishte ikur nga vendi i vet.

Në ditën e dytë të festivalit, publiku do të ketë mundësinë të marrë pjesë në debatin “Kosova – trashëgimia e kujtesës” në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, si dhe të shohë ekspozitën me të njëjtin titull në galerinë “Endžio”.

Njëra nga temat që do të diskutohet është edhe ajo se pse anëtarësimi në UNESCO, një organizatë që kultivon promovimin kulturor dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, perceptohet si një lojë që do të rezultojë në humbje për cilëndo palë. Mes të tjerash është shkruar se do të diskutohet edhe se si të dyja palët të pranojnë natyrën multikulturore të trashëgimisë kulturore, të marrim atë si një përparësi dhe t’i bëjnë politikat e përkujtimit dhe vendet e përkujtimit më gjithëpërfshirëse. Në anën tjetër, ekspozita është e ndërtuar nga fotografitë e Korab Krasniqit, ForumZFD Kosovo, që u publikuan fillimisht si pjesë e botimit “Trashëgimia e Kujtesës në Kosovë”, në vitin 2017.

Postime të ngjashme

Konferenca me temën “Kadare në Letrat Botërore”, organizimi i radhës në nder të shkrimtarit

S.B.

Prizreni e sfidoi coronavirusin me festivalin e këngës

S.B.

Novela e ndaluar e Tolstoit që nxiti revolucion seksual në Rusi

S.B.

“Streha e Manekinëve”, fati tragjikomik i njeriut në diktaturë

S.B.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë do ta rikandidojë Kadarenë për “Nobel”

S.B.

Rrëfimi i Kadaresë në prag të 85-vjetorit: Si e shkrova “Pallatin e Ëndrrave” në kulmin e diktaturës, u thyen ligjet e shenjta të letërsisë

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...