Misioni UNAMID u vendos në Darfur në vitin 2007 për t`i dhënë fund konfliktit të ashpër që shpërtheu në rajonin perëndimor të vendit në vitin 2003 midis forcave qeveritare dhe grupeve rebele.
Misioni paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara (OKB) në Darfur ka vendosur t’i japë fund mandatit të tij në rajonin e trazuar të Sudanit, pas 13 viteve të operimit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Misioni i OKB-së në Darfur (UNAMID) njoftoi se qeveria sudaneze do të marrë përgjegjësinë për garantimin e sigurisë dhe shërbimeve për qytetarët në rajon.
Misioni njoftoi se nga 1 janari i vitit 2021 trupat dhe personeli i policisë i UNAMID-it do të përqendrohen në garantimin e sigurisë për tërheqjen e aktiviteteve, personelit dhe burimeve.
“UNAMID do të ketë një periudhë gjashtë-mujore për të ndërmarrë tërheqjen, e cila do të kryhet në faza. Kjo do të përfshijë kthimin në atdhe të trupave, automjeteve të tyre dhe pajisjeve të tjera, ndarjen e stafit ndërkombëtar dhe kombëtar, mbylljen e njëpasnjëshme të zyrave të ekipit të misionit si dhe dorëzimin e tyre entiteteve të përcaktuara në përputhje me rregullat e OKB-së”, shpjegoi misioni paqeruajtës.
Javën e kaluar, Këshilli i Sigurimit të OKB-së ra dakord t’i japë fund misionit UNAMID në Darfur, pasi mandati i tij përfundon më 31 dhjetor.
Misioni u vendos në Darfur në vitin 2007 për t’i dhënë fund konfliktit të ashpër që shpërtheu në rajonin perëndimor të vendit në vitin 2003 midis forcave qeveritare dhe grupeve rebele.