Uashington, 9 korrik – Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nga Uashingtoni theksoi se problemi me Ballkanin është se shumë shpesh fantazma e nacionalizmit shfaqet kur askush nuk e pret, dhe si shembull dha Maqedoninë e Veriut. Në një debat publik me ish-ambasadorin e SHBA-së në Greqi, Daniel Spechart, Mitsotakis tha se Marrëveshja e Prespës është një marrëveshje ndërkombëtare që lidh vendin fqinj.
“Maqedonia e Veriut është sot anëtare e NATO-s sepse Greqia hoqi veton pas Marrëveshjes së Prespës që u nënshkrua dhe ratifikua nga qeveria e kaluar. E kemi bërë të qartë se kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që e detyron vendin. Ne e respektuam këtë dhe unë e respektoj. Një nga aspektet themelore, nëse jo më themelore, të marrëveshjes lidhej me faktin se emri Maqedonia e Veriut duhet të përdoret kudo, brenda dhe jashtë.
Për Greqinë, kjo është diçka shumë e qartë dhe e panegociueshme.
Kur dëgjoj se qeveria e re brenda vendit e quan vendin e saj Republika e Maqedonisë, kam shqetësime serioze. Dhe kjo është një temë që kam ndërmend të trajtoj. Nuk është konstruktive dhe nuk ndihmon rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut”, nënvizoi kryeministri grek.