Shkup, 8 prill – Qeveria e re ka bërë rritje të përshpejtuar të pagave e të ardhurave për personalelin mjekësor të të gjitha shtresat, prandaj e kanë bërë obligim profesional e moral që të shtojnë kujdesin ndaj pacientëve. Mos të shndërrohen mantel bardhët në “kasap” të pacientëve e që tentojnë të rrjepin xhepat edhe ashtu të shkërrmoqur të qytetarëve. Rrtija e kapitacionit për mjekët amë duhet të jetë forcë shtytëse dhe shpresë se po punohet në këtë drejtim për një të ardhme më të mirë, si për personalin ngjashëm edhe për kujdesin e pacientëve, shkruan Zhurnal.
Rritja e pagave në shëndetësi për 5 për qind, pikës së kapitacionit për mjekët amë dhe gjinekologët për 33 për qind, për stomatologët për 23 për qind –
Qeveria kujdeset njësoj për të gjithë. Reformat në shëndetësi po sjellin rezultate. Më në fund, sistemi shëndetësor në Maqedoni është duke u rivendosur, krahas rikonstruksioneve të shumta në institucionet shëndetësore, e gjitha me qëllim të përmirësimit të kujdesit shëndetësor dhe shërbimit ndaj pacientëve, rriten edhe pagat e punonjësve shëndetësorë, infermierëve që luftojnë pa u lodhur për shëndetin e qytetarëve, njofton shërbimi për shtyp i qeverisë.
Nga buxheti shtetëror janë ndarë 550 milionë denarë nga buxheti i shtetit për rritje të pagave në shëndetësi, theksojnë nga Qeveria. Për vetëm 6 muaj, punëtorët shëndetësorë, infermierët, personeli teknik dhe administrativ morën rritje të dytë prej 5 për qind, duke e rritur pagën e mjekëve për 4.815 denarë, ndërsa të infermierëve për 6.200 denarë. Po ashtu, nga Buxheti janë ndarë rreth 4.5 miliardë denarë për rritjen e pikëve të kapitacionit për mjekët e kujdesit parësor në mjekësi të përgjithshme dhe gjinekologji nga 75 në 100 denarë, ose rritje prej 33 për qind, ndërsa për stomatologji nga 61 në 75 denarë, ose rritje për 23 për qind.
“Me këtë tregojmë se askush nuk është i harruar dhe nuk lihet jashtë, përkundrazi po bëjmë maksimumin për të përmirësuar dhe mbështetur sistemin shëndetësor dhe për të nxitur motivimin e mjekëve amë. Synimi ynë është që në fund të mandatit të rrisim pagat në shëndetësi për 50 për qind. Po punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi, që Maqedonia të jetë sërish e juaja”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Qytetarët janë shkaku pse ekzistojnë spitalet, nga ana tjetër qytetarët vazhdojnë të jenë të pakënaqur me shërbimet në spitale –
Qytetarë të shumtë, hallexhinj për të marr një ndihmë mjekësore shërbim që është i garantuar edhe me Kushtetutë, që është e drejtë humane e njerëzore. E pikërisht me këtë kategori të qytetarëve dinë dhe tallen institucionet shëndetësore.
“Ndodh që për një kontroll të presim me orë të tëra, nga 6-7 orë rrimë nëpër shkallë e në të ftohtë. S’di, këtu është kaos, por nuk kemi çfarë të bëjmë, jemi të detyruar të presim derisa të marrim shërbimin shëndetësor”, thotë Vesna Todorovska për Radio Evropa e Lirë, një banore nga qyteti i Shtipit, që kishte ardhur për kontroll mjekësor në Klinikën e Shkupit.
E, derisa pacientët ankohen për vonesa në marrjen e shërbimeve mjekësore dhe për terapi të shtrenjta, Sindikata e pavarur e punëtorëve shëndetësorë ka kërcënuar me protesta nëse institucionet nuk e plotësojnë kërkesën për rritje pagash, por edhe për punësime të reja. Ata kërkojnë rritje lineare të pagave të punonjësve shëndetësorë dhe zgjidhjen e problemit të atyre që janë të angazhuar me kontrata të përkohshme. Në Maqedoninë e Veriut në sektorin e shëndetësisë janë të punësuar rreth 25.000 persona; mjekë, specialistë, infermierë, laborantë, shërbyes, shoferë, e personel tjetër.
Rroga e mjekëve sillet varësisht pozicionit dhe përgatitjes profesionale; 35.000 denarë (600 euro) marrin mjekët fillestarë, ndërsa mjekët specialistë 45.000 denarë apo 730 euro. Infermierët dhe laborantët marrin pagë mujore prej rreth 400 euro, që është për 50 euro më e lartë se paga minimale në vend. Paga nën minimale, që sillet në rreth 350 euro, marrin shoferët dhe personeli tjetër mjekësor.
Në çfarë gjendje është shëndetësia në Maqedoninë e Veriut?
Megjithatë, jemi dëshmitarë që shpesh herë Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në institucion i dorës së dytë, në të cilin shpesh ndryshohen ministrat. Gjë që reflekton se ky institucion ekziston sa për ta bë ndokënd ministër. Pjesë e pazareve politike, e për të larë ndonjë hatërmbetje. Kjo qasje është totalisht e gabuar dhe që prodhon gjendje katastrofale në funksionim.
Duhet qasje shumë më serioze nga organet e shtetit për Ministrinë e Shëndetësisë, dhe që investimet të drejtohen në këtë sektorë që është nevojë jetike për secilin qytetarë. Ka tashmë më shumë se një dekadë që kur është premtuar ndërtimi i një Qendre të re Klinike në Shkup, dhe kjo gjë nuk po realizohet dot. Me ministra që nuk brengosen për shëndetësinë cilësia e shërbime nuk korrigjohet asnjëherë.
E në çfarë gjendje është shëndetësia në vendin tonë, tregues më i mirë ishte situata me pandeminë. Ku institucionet shëndetësore përpos që kishin mungesë të kuadrove përkatëse mjekësor, ata kishin edhe mungesë të shtretërve dhe hapësirave. Pacientët nga mungesa e sigurimit të barnave për fibrozë cistike kishin ndërruar jetë, infrastruktura ishte dhe akoma është tmerruese, shërbimet nuk janë në nivelin e duhur. Prandaj, kur të rinjtë po vendosin ta braktisin vendin nuk po e bëjnë vetëm për mungesë të një vendi pune, por edhe si pasojë e mos sigurisë shëndetësore në këtë vend. /Zhurnal.mk