Shkup, 28 shkurt – Sektori shëndetësisë luan rol të jashtëzakonshëm në funksionimin e jetës normale për qytetarët, pasi prek të gjitha grup moshat. Ajo për të cilën kanë nevojë qytetarët janë shërbimet cilësore, profesionale e në kohë. Edhe pse nga ana tjetër janë mjekët të cilët janë të pakënaqur me pagat e tyre për punën që bëjnë. Qytetarët ankohen jo vetëm për pritjet e gjata, por edhe për terapitë e shtrenjta. Qytetarët përballen me probleme të përditshme kur kanë nevojë të marrin ndihmë mjekësore. Ministria e Shëndetësisë vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, por që në krye të së cilës vendosen persona që pak i kushtojnë rëndësi këtij institucioni. Qytetarët kanë nevojë të dukshme që të kenë siguri shëndetësore, që MSH të kujdeset në mënyrë të angazhuar për përmirësim të cilësisë për shërbimet që ofrohen në spitalet e vendit, shkruan Zhurnal.
Qytetarët janë shkaku pse ekzistojnë spitalet, nga ana tjetër qytetarët vazhdojnë të jenë të pakënaqur me shërbimet në spitale –
Qytetarë të shumtë, hallexhinj për të marr një ndihmë mjekësore shërbim që është i garantuar edhe me Kushtetutë, që është e drejtë humane e njerëzore. E pikërisht me këtë kategori të qytetarëve dinë dhe tallen institucionet shëndetësore.
“Ndodh që për një kontroll të presim me orë të tëra, nga 6-7 orë rrimë nëpër shkallë e në të ftohtë. S’di, këtu është kaos, por nuk kemi çfarë të bëjmë, jemi të detyruar të presim derisa të marrim shërbimin shëndetësor”, thotë Vesna Todorovska për Radio Evropa e Lirë, një banore nga qyteti i Shtipit, që kishte ardhur për kontroll mjekësor në Klinikën e Shkupit.
E, derisa pacientët ankohen për vonesa në marrjen e shërbimeve mjekësore dhe për terapi të shtrenjta, Sindikata e pavarur e punëtorëve shëndetësorë ka kërcënuar me protesta nëse institucionet nuk e plotësojnë kërkesën për rritje pagash, por edhe për punësime të reja. Ata kërkojnë rritje lineare të pagave të punonjësve shëndetësorë dhe zgjidhjen e problemit të atyre që janë të angazhuar me kontrata të përkohshme. Në Maqedoninë e Veriut në sektorin e shëndetësisë janë të punësuar rreth 25.000 persona; mjekë, specialistë, infermierë, laborantë, shërbyes, shoferë, e personel tjetër.
Rroga e mjekëve sillet varësisht pozicionit dhe përgatitjes profesionale; 35.000 denarë (600 euro) marrin mjekët fillestarë, ndërsa mjekët specialistë 45.000 denarë apo 730 euro. Infermierët dhe laborantët marrin pagë mujore prej rreth 400 euro, që është për 50 euro më e lartë se paga minimale në vend. Paga nën minimale, që sillet në rreth 350 euro, marrin shoferët dhe personeli tjetër mjekësor.
Gjendja në shëndetësi krahasuar me katër vite më herët shkon drejt përkeqësimit –
Krahasuar me anketën që IPIS ka bërë për Detektor në vitin 2019, qytetarët shprehin pakënaqësi edhe më të madhe, duke pasur parasysh se pakënaqësia e përgjithshme me shëndetin publik katër vite më parë ishte 19,5 për qind, ndërsa tani është 26,2 për qind.
Pothuajse gjysma e qytetarëve besojnë se shëndeti publik ishte më i mirë pesë vjet më parë. Kështu, 49,7 për qind e të anketuarve vlerësojnë se cilësia e shëndetësisë publike krahasuar me pesë vjet më parë tani është në nivel më të ulët, 31,8 për qind mendojnë se nuk ka pasur ndryshime, ndërsa 12,4 për qind janë të mendimit se shëndetësia e sotme është më e mirë se pesë vjet më parë.
Anketa tregon se 22,7 për qind e qytetarëve shkojnë më shpesh në vizita mjekësore në ordinanca private për shkak se janë të pakënaqur me kujdesin që ofrohet nga institucionet e shëndetit publik. Mbi dy të tretat e qytetarëve ose 69,8 për qind trajtohen ekskluzivisht në kujdesin shëndetësor publik. Kjo mbase është e kuptueshme dhe e pritshme duke marrë në konsideratë gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve, që nuk ka mundësi secili prej tyre të trajtohet aty ku ofrohet shërbim më cilësor.
Sa i përket furnizimit me barna, gati dy të tretat e të anketuarve ose 62,3 për qind thonë se nuk kanë asnjë problem, pra se farmacitë janë të furnizuara mirë gjatë gjithë muajit dhe se nuk e kanë problem të marrin barna me recetë. Të kundërtën janë të bindur 30,5 për qind e qytetarëve.
Gati tre të katërtat e qytetarëve të anketuar, ose saktësisht 73,9 për qind, besojnë se aktualisht, vendi nuk i përmbush standardet dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian për cilësinë e kujdesit shëndetësor. Mendim të kundërt kanë 17,3 për qind e qytetarëve. Krahasimi me anketën e vitit 2019 tregon se numri i qytetarëve që besojnë se kujdesi shëndetësor i plotëson kriteret e Bashkimit Evropian është në rritje. Kështu, numri i qytetarëve që besojnë se shëndetësia jonë është larg Bashkimit Evropian, nga 57,6 për qind në vitin 2019, ka shkuar në 73,9 për qind në sondazhin e fundit. Anketa e Institutit për Hulumtime Politike në Shkup është realizuar në periudhën prej 28 shkurtit deri më 3 mars të këtij viti në mostër përfaqësuese prej 1.107 të anketuarve.
Në çfarë gjendje është shëndetësia në Maqedoninë e Veriut?
Megjithatë, jemi dëshmitarë që shpesh herë Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në institucion i dorës së dytë, në të cilin shpesh ndryshohen ministrat. Gjë që reflekton se ky institucion ekziston sa për ta bë ndokënd ministër. Pjesë e pazareve politike, e për të larë ndonjë hatërmbetje. Kjo qasje është totalisht e gabuar dhe që prodhon gjendje katastrofale në funksionim.
Duhet qasje shumë më serioze nga organet e shtetit për Ministrinë e Shëndetësisë, dhe që investimet të drejtohen në këtë sektorë që është nevojë jetike për secilin qytetarë. Ka tashmë më shumë se një dekadë që kur është premtuar ndërtimi i një Qendre të re Klinike në Shkup, dhe kjo gjë nuk po realizohet dot. Me ministra që nuk brengosen për shëndetësinë cilësia e shërbime nuk korrigjohet asnjëherë.
E në çfarë gjendje është shëndetësia në vendin tonë, tregues më i mirë ishte situata me pandeminë. Ku institucionet shëndetësore përpos që kishin mungesë të kuadrove përkatëse mjekësor, ata kishin edhe mungesë të shtretërve dhe hapësirave. Pacientët nga mungesa e sigurimit të barnave për fibrozë cistike kanë ndërruar jetë, infrastrukturë tmerruese, shërbime katastrofale. Prandaj, kur të rinjtë po vendosin ta braktisin vendin nuk po e bëjnë vetëm për mungesë të një vendi pune, por edhe si pasojë e mos sigurisë shëndetësore në këtë vend. /Zhurnal.mk