Agjencia Zhurnal.mk
Kulturë

Mjeshtri shqiptar që bën drurin të nxjerrë tinguj në skenat e mëdha botërore

Erli Gurra, është një nga të rinjtë më të veçantë në Tiranë, për shkak të zanatit të tij që lidhet me krijimin e instrumenteve muzikore, mirëmbajtjen dhe restaurimin e tyre, ku violina zë vendin kryesor.

Në një intervistë për ATSh-në, ai tregon historinë e gjithë këtij rrugëtimi të veçantë; tregon fillesat e tij në kohën që ai e kishte si një formë argëtimi dhe deri në ditët e sotme ku ka vendosur që ljuterinë, apo restaurimin e veglave muzikore me harqe, ta kthejë në profesionin e jetës së tij, falë edhe arsimimit të veçantë që ai ka kryer në të vetmin institucion ljuterie në shkollën Antonio Stradivari në Kremona të Italisë.

Gurra tregon se pasioni për veglat muzikore me harqe i lindi në moshë të vogël, duke parë babin e tij,

“Pasionin për instrumentet e kam të trashëguar nga babai im, Ramazan Gurra, i cili punon prej 40 vjetësh punon si akordator në Universitetin e Arteve. Gjyshi, ndërkohë, ka qenë kompozitor i këngëve qytetare tiranase, Muharrem Gurra. Edhe ai ndërtoi një violinë, vet, pasi ia prishën të dyja violinat që dispononte, në kohën e komunizmit. Edhe sot e kësaj dite ne e ruajmë atë violinë si objekt të shtrenjtë familjar. Kjo ka qenë arsyeja se përse ky pasion ka qenë rritur bashkë me mua”, thotë ai.

Vendimin për të ndjekur hapat e gjyshit dhe babait të tij Erli e bëri fakt në momentin që u arsimua enkas për ljuteri.

“Për mua ishte shumë e lehtë, pasi jam rritur në mes të instrumenteve”, thotë ai. “Argëtimi im më i madh ka qenë pikërisht laboratori i punës së babait tim. Mbase duke parë gjithë ato instrumente të prishura që rikonstruktoheshin nga babai im dhe që rregulloheshin, bëri që unë të merresha me këtë gjë sepse e kuptoja që e kisha pasion. Në moshën 18-vjeçare isha i bindur dhe e kisha të vendosur se kush do të ishte profesioni im në jetë”.

Me kalimin e kohës vendosi që të investonte shumë, megjithëse ishte jo i lehtë si udhëtim dhe si zgjedhje.

“Në 2007 kam mbaruar studimet dhe në 2008 kam mbaruar edhe specializimin në një ndër laboratorët më të njohur në Kremona, tek mjeshtri Edgar Rus. Mbas specializimin për një vit e gjysmë kam punuar bashkë me të dhe më vonë u ktheva në Shqipëri. Ishin shumë faktorë që më rikthyen. Doja që të ndërtoja laboratorin tim këtu në Shqipëri. Unë gjithashtu përfaqësoj Shqipërinë edhe në evente apo panaire ndërkombëtare për ljuteri”, shprehet ai.

Gjatë këtij rrëfimi Gurra na tregon se ku arrin të sigurojë të gjithë materialet bazë të cilat janë shumë specifike dhe se akoma zgjidhet e njëjta bazë materiale që përdorej në vitet 1600-1700.

“Gati e gjithë prodhimtaria ime shkon jashtë. Bazën materiale e marr në Itali, në të njëjtin vend ku i merrte Stradivari. Ne vazhdojmë në të njëjtën mënyrë pune në të cilën funksiononte Stradivari, çka e bëri atë edhe njeriun më të njohur në botë për konstruksionin e instrumenteve me harqe. Në Bosnje, Kroaci dhe në veri të Italisë merret pjesa më e madhe e të gjithë bazës time materiale. Por, edhe të gjitha veglat që unë punoj janë të krijuara posaçërisht për këtë proces pune dhe është një investim prej mijëra eurosh”, shprehet Gurra. “Për një violinë më duhet plot një muaj kohë që të punoj me të, në mënyrë intensive dhe me një orar të plotë, dhe jo duke e neglizhuar. Ka raste kur më duhet të punoj edhe më tepër se 10 orë. Një violinë e imja kushton rreth tetë mijë euro jashtë. Unë e kuptoj tingullin që do të ketë violina, sapo të filloj të punoj me të, sapo e prek për herë të parë. Këto veçori makineritë nuk mund t’i kenë. Njeriu nuk zëvendësohet dot. Ky është një zanat shumë i vjetër pasi ljuteria ka filluar të ushtrohet që në vitet 1500 dhe paraardhës të violinave kanë qenë ljutat ku për këtë shkak mori edhe emërtimin zanati ynë. Violina doli në skenë më 1500 pasi më parë ka pasur të tjerë instrumente të përafërta, si Viola d’amore, Viola d’agamba, Viuela dhe shumë instrumente të tjerë me harqe që janë paraardhëse të violinës. Përveç violinës unë ndërtoj edhe violë, violonçel dhe kontrabas”, tha Gurra.

Në gjithë këto vite pune, numri i instrumenteve të dala nga duart e tij është i madh dhe luajnë në skena prestigjioze botërore dhe nga instrumentistë virtuozë.

“Unë kam një treg shumë të madh, duke filluar nga Japonia, Koreja e Jugut, Kina, por edhe në Evropë, si Francë, Spanjë, Angli, apo edhe nga Amerika. Thuajse në të gjithë botën. Niveli i instrumenteve që bëj janë për instrumentist profesionistë që luajnë me orkestra dhe në teatro shumë të njohur. Ndonjëherë merrem edhe me riparime të instrumenteve në Shqipëri dhe më tepër e bëj për të ndihmuar instrumentistët. Instrumenti është pronë e vet artistit dhe asnjë institucion nuk përgjigjet për këtë pjesë. I kanë pronë dhe investim, por edhe mirëmbajtja e tyre është investim më vete”, shprehet Gurra.

Postime të ngjashme

Artistët e ansamblit në rrugën drejt suksesit të radhës

D V

Mbrëmje koncerti me Korin e përzier të Filarmonisë së Kosovës sonte në “Verën e Ohrit”

Z H

Pezullohet nga pozita drejtori i QKK-së, Arben Zharku

D V

Muzikali ‘Hirushja’ në Londër nuk do të hapet për shkak të masave ndaj COVID-19

D V

Qyteti 4 mijë vjet i vjetër në “djepin e qytetërimit”

D V

Kur të burgosurit e udhëheqin burgun

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...