Shkup, 12 qershor – Në një ngjarje të rëndësishme që shënon 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ish-sekretari i NATO-s, Lord George Robertson, ka bërë thirrje për një qëndrim të fortë evropian ndaj sfidave të sigurisë që vijnë nga Rusia dhe aleatët e saj. Gjatë një konference të mbajtur në Kosovë, Robertson theksoi se ndikimi rus në rajon nuk është vetëm ushtarak, por përfshin edhe taktika të keqinformimit dhe destabilizimit. Qëndrimi i Robertson ëshhtë një alarm në kohën kur herë pas here po harrojmë rrezikun që vjen nga Rusia, duke u marë me grindje mes veti, siç ishte rasti i qëndrimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama në Kosovë dhe mungesa e takimit me kryeministrin, Albin Kurti.
Në këtë analizë nuk e kemi për qëllim të fajëzojmë njërin, ose të shfajësojmë tjetrin, por vetëm të tërheqim vëmendjen se lojërat dhe inatet në oborrin tonë, mund të na defokusojnë nga preventiva ndaj rreziqeve të mëdha, shkruan Zhurnal.
Sepse rreziqet janë aq të mëdha dhe të dukshme, sa që duhet të jemi të verbër, ose në shërbim të tjerëve, që të mos i shohim. I tillë është edhe “Parlamenti Gjithëserb”, i organizuar në regji të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por me shumë gjasë i inicuar dhe inskenuar nga Moska.
“Parlamenti Gjithëserb” miratoi një deklaratë që përmban mjete juridike dhe politike si bazë për pretendimet ideologjike, territoriale dhe historike të politikës kombëtare serbe kundër integritetit territorial, sovranitetit politik dhe pavarësisë së shteteve dhe popujve të rajonit.
“Nga përmbajtja e deklaratës, ekziston një rrezik real dhe i menjëhershëm, i cili pasqyrohet në udhëzimet e qarta dhe mbështetjen e hapur të Serbisë, autoriteteve të enteve të RS-së për të vazhduar cenimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe shembjen e rendit kushtetues dhe juridik të shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës”, kanë paralajmëruar zyrtarët boshnjakë, të cilët deri tani janë të vetmit zyrtarë në rajon që kanë reaguar më zëshëm ndaj këtyre pretendimeve. është fakt se Bosnja e Hercegovina sërish gjenden në “linjën e parë” të pretendimeve serbe, por e kaluara tregon se këto pretendime kur fillojnë, nuk përjashtojnë asnjë nga popujt fqinj.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu dëshirën për integrimin e pakicave në shoqërinë kosovare, duke përfshirë komunitetin serb. Ai theksoi se qeveria e Kosovës është e angazhuar për të ndërtuar një republikë demokratike dhe të bazuar në qytetarë, duke shmangur ndarjet etnike dhe duke punuar për integrimin e të gjithë komuniteteve, me çka poashtu ka dhënë një përgjigje meritore ndaj pretendimeve serbe dhe ruse.
është mjaft shqetësues edhe paralajmërimi i ish-kryeministrit Italian, Mateo Renzi, i cili paralajmëroi se Evropa mund të përballet me humbjen e ndikimit të saj nëse nuk përshtatet me kohën dhe sfidat e reja. Ai theksoi nevojën për ndryshim dhe adaptim për të ruajtur rolin e Evropës si një aktor kyç në skenën ndërkombëtare.
Edhe më konkret ka qenë ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit, duke deklaruar se arkitektura kufitare në rajon u kompletua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Çdo fjalë dhe fjali e Mesiqit duhet të meret me seriozitetin më të madh, sepse ai në mënyrën më të drejtpërdrejtë si ish president i Jugosllavisë dhe Kroacisë, i ka përjetuar lojërat që i bën Beogradi, shkruan Zhurnal.
“Pikërisht këtë po e theksoj këtu, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, duke shënuar 25 vjet nga çlirimi i Kosovës, para së gjithash falë UÇK-së, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të aleancës së NATO-s dhe SHBA-së”, deklaroi Mesiq.
Edhe pse mendohej se koha më e vështirë kishte kaluar, shtoi ai, ka ende nevojë për veprim dhe prani të bashkësisë ndërkombëtare në rajon, jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje-Hercegovinë.
“Ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm të përballemi me shumë sfida, në fakt sfida të vjetra që janë ridizajnuar. Mund të them lirisht se arkitektura kufitare në rajon u kompletua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, ka ende kërcënime dhe rreziqe nga të ashtuquajturat projekte megashtetërore. Paqja dhe stabiliteti duhet të jenë vendet tona të shenjta që duhet të sigurojnë prosperitetin e të gjithëve ne. Përgjigja më e mirë për të gjitha sfidat dhe kërcënimet është perspektiva euroatlantike”, shtoi ai.
Maqedonia vazhdon në një linjë me Perëndimin, propozon “Plan Marshali” për Ukrainën
Ka pasur shumë spekulime dhe aragjykime lidhur me ndryshimet politike në Shkup, mirëpo realiteti po e dëshmon se Maqedonia mbetet në një linjë me Peëndimin për çështjet kruciale strategjike, shkruan Zhurnal.
Kështu, presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova dje në Berlin, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, iu drejtua panelit të përfaqësuesve të krerëve të shteteve dhe qeverive, ku nikoqirë të konferencës, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Në panelin kryesor morën pjesë presidentët dhe kryeministrat e Holandës, Norvegjisë, Finlandës, Lituanisë, Moldavisë, Estonisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Gjeorgjisë.
Presidentja Siljanovska Davkova në fjalimin e saj tha se pas Luftës së Dytë Botërore, Plani Marshall, ndër të tjera, ishte shprehje e solidaritetit ndaj Evropës së shkatërruar dhe sot është i nevojshëm një lloj i ri i planit Marshall për Ukrainën e shkatërruar.
Siljanovska theksoi se duhet investuar jo vetëm në infrastrukturën rrugore dhe energjetike, por edhe në infrastrukturën njerëzore, arsimore, sociale dhe normative.
Në seancë u vlerësua pozitivisht qëndrimi i përbashkët evropian se ndihma gjithëpërfshirëse për Ukrainën duhet të vazhdojë.
Më herët në hapjen e konferencës morën pjesë edhe presidentja Siljanovska Davkova, ku fjalimet kishin kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen./Zhurnal