Klevisa Ymeri, e cila shkaktoi aksidentin në Kroaci ku humbën jetën motër e vëlla Stjepan dhe Katarina Derek, është dënuar me 4 vite burg.
Sipas mediave kroate, në gjyqin e sotëm, dëshmitari Jonuz Alija, pasagjer në veturën “Mercedes” të Ymerit, dëshmoi gjithashtu sot në gjyq.
“Unë dhe shoku im Armalindo Docano u nisëm nga Milano për në Shqipëri me një Mercedes. Me ne ishte Klevisa dhe gruaja e kushërirës së Armalindos, Diana. Këto të dyja po na ndiqnin pas më “BMW”. Klevisa mori drejtimin e mjetit Mercedez për shkak se shoferi u lodh. Po ecnim pas njëri-tjetrit, unë po flisja me familjen në celular, kur në një moment, në mënyrë refleksive ndjeva se makina kaloi shumë shpejt, dhe atëherë ngrita kokën dhe pashë tym. Kur arrita te makina e parë, dhashë ndihmën e parë, por shpejt kuptova se nuk mund të bëhej asgjë më shumë. Klevisa ka dalë nga makina dhe si pasojë e përplasjes ka rënë pa ndjenja,”-tregoi dëshmitari.
Zëvendësprokurorja e shtetit Katarina Šosha dhe përfaqësuesi i familjes Đerek, avokati nga Zagrebi Zvonimir Bodrožić, njëzëri theksuan se e pandehura është fajtore.
Avokati i shqiptares, theksoi se eksperti që ka qenë në vendin e ngjarjes, ka nënvizuar se Ymeri kishte tentuar që të mos parakalonte kur kuptoi se një tjetër mjet po i vinte përballë, por e kishte humbur kontrollin e mjetit.
Nga ana tjetër, vetë Ymeri u shpreh se bëri shenjë që të parakalonte, por sipas saj gjithçka ndodhi shumë shpejt deri në momentin e përplasjes.