Shkup, 24 korrik – Kauza e qeverisë së re madje edhe një nga shumë prioritet ka qenë lufta kundër korrupsionit, e kjo luftë nuk ka kuptim nëse edhe qeveritarët e rinj qëndrojnë duarkryq pa bërë asnjë hetim. Madje, edhe vetë korrupsioni si term qëndron abstrakt derisa nuk ka ndonjë rast konkret me fakte dhe argumente të dukshme me emër e mbiemër personi që është apo janë të zhytur në korrupsion. Ajo që është e rëndësishme është fakti që faktori politik shqiptarë në qeveri VLEN duhet të kërkojnë me përgjegjësi hetime për të gjithë të dyshuarit pa dallim etnie apo partie, pra të ketë hetime e dënime për të gjithë të korruptuarit si në kampin shqiptarë ngjashëm edhe në atë maqedonas, shkruan Zhurnal.
MPB me kallëzim penal për Drin Ahmetin, ky i pari por nuk duhet të jetë i fundit, hetim për secilin dyshim –
Përveç Drin Ahmetit, i cili është menaxher i kompanisë nga Kërçova nga viti 2017 e deri më tani, raporti për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” përfshin edhe menaxherin që ka menaxhuar nga viti 2008 deri në vitin 2017.
Në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2023, të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Burimet Minerale dhe marrëveshjen koncesionare për shfrytëzimin e një lokaliteti në komunën e Zajazit, të lidhur ndërmjet personit juridik dhe qeverisë, të përfaqësuar nga ministri i atëhershëm i Ekonomisë.
Ata ishin të detyruar të paguanin një tarifë vjetore të përcaktuar saktësisht për shfrytëzimin e hapësirës që ishte dhënë me koncesion për shfrytëzim dhe një tarifë për sasinë e shfrytëzuar të lëndës së parë minerale dhe si nënshkrues në kurriz të personit juridik paguanin më pak koncesion. Tarifa në vlerë të përgjithshme prej 1,6 milion denarë, duke shkaktuar dëme edhe në buxhet, njoftoi MPB.
Ka pasur raportime për keqpërdorime edhe ndaj disa punonjësve të Ministrisë së Ekonomisë, të cilët ishin të detyruar të mbikëqyrnin koncesionin.
A mungojnë para nga buxheti i shtetit?
Kryeministri Hristian Mickoski thotë se gjendja me Buxhetin është alarmante dhe se mungojnë para për çka organet e hetuesisë do të kenë shumë punë në periudhën e ardhshme. Para për rritjen e premtuar të pensioneve, thotë se do të ketë.
Në ditarin qendror në televizionin “Sitel”, Mickoski tha se për “Pyjet Kombëtare” ku të punësuarit nuk kanë marrë pagë katër muaj, nevojiten prej 250 deri 300 milionë denarë, për “Ujësjellësin” prej 60 deri 100 milionë denarë, ndërsa mungojnë edhe tre miliardë e 700 mijë denarë për bujqit.
“Kanë bërë Buxhet për gjashtë muaj sikur e dinin se nuk do të ketë më Qeveri, prandaj u përpoqën t’i lënë sa më shumë probleme Qeverisë së re kështu që miliarda e miliarda denarë të mbesin pa mbuluar. Ka detyrime ligjore që është dashur t’i kryejnë, nuk i kanë paraparë në Buxhet etj. por mendoj se organet e hetuesisë do të kenë shumë punë në periudhën në vijim”, tha Mickoski.
Një miliard e 200 mijë denarë, sipas Mickoskit, duhet të paguhen edhe në bazë të gjobave për faktin se disa nga ministrat i kanë rishpërndarë të punësuarit në institucionet jashtë ligjit. Lidhur me ndërtimin e autostradave për të cilat qeveria e kaluar ka nënshkruar marrëveshje me “Behtel dhe Enka”, Mickoski tha se realizimi është rreth katër deri në pesë miliardë dhe se nuk janë zgjidhur marrëdhëniet pronësore-juridike, edhe pse shteti është zotuar për ta përfunduar në mesin e vitit të kaluar.
“Shteti ka marrë përsipër që nga mesi i vitit të kaluar do të duhet të hapë terrenin për punë për kompaninë kontraktore. Nga mesi i vitit të kaluar e deri më tani, ajo që duhet t’i paguajmë si gjobë kontraktorit, nëse ai vendos t’i faturojë, është rreth 36 milionë euro, gjegjësisht duhet të paguajmë tre milionë euro në muaj”, tha Mickoski.
Për kredinë prej 500 milionë eurosh nga Hungaria, Mickoski tha se është oferta më e mirë për momentin dhe se janë të hapur të bisedojnë me çdo institucion financiar që do të japë kushte më të mira. Ai beson se kredia nga Hungaria nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare.
“Më vjen keq që opozita nuk e pa të udhës të vlerësojë lëvizjen dhe të urojë. Ajo që po shikoja ishte më shumë si një komedi tragjike. Është aq tragjike siç thonë sa këto investime që paralajmëron Mickoski, ne kemi punuar në to, por nuk kemi arritur që të funksionojnë, kështu që Mickoski është dashur të vijë me bashkëpunëtorët e tij për të punuar në to. Paratë nuk kanë ngjyrë dhe kombësi. Vendet tjera le të na japin kushte më të mira, ne do t’i marrim prej andej”, tha Mickoski.
Për pagat e funksionarëve të cilët me vendim të Gjykatës Kushtetuese ishin rritur për 78 për qind, Mickoski tha se problemi duhet të zgjidhet sistematikisht.
Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 31 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit.
Megjithatë, një luftë e tillë ende nuk është parë në terren, ajo që publikohet në rrjete sociale dhe që thuhet në fushatë elektorale është krejtësisht tjetër dhe ka dallim të madh nga ajo që shihet në praktikë. Maqedonia e Veriut shtet i pavarur që 31 vite, që 17 vite shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk ka marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. Kjo mbase edhe nuk po ndodhë rastësisht e as për inati të askujt, po ndodhë sepse Maqedonia e Veriut po ka problem serioz me korrupsionin, e që në BE nuk pranohen shtetet që kanë problem me korrupsionin. /Zhurnal.mk