Shkup, 18 korrik – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot realizoi takime të ndara me ambasadoren e Konfederatës së Zvicrës, Veronik Hulman dhe të ngarkuarin me punë në ambasadën e Malit të Zi, Velimir Shlivançanin.
Në takimin me ambasadoren e Zvicrës, siç informojnë nga MPJ, u shpreh kënaqësia e ndërsjellë për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve në tre dekadat e fundit dhe gatishmëria e përbashkët për të festuar 30 vjetorin e vënies së marrëdhënieve diplomatike.
Njëherësh u përshëndet bashkëpunimi i suksesshëm afatgjatë në kuadër të programit zhvillimor zviceran, me qëllim mbështetjen e reformave për arritjen e standardeve dhe vlerave evropiane në vendin tonë. Më pas Mucunski theksoi se Zvicra është donatori ynë i rëndësishëm bilateral, duke shprehur mirënjohjen për këtë mbështetje të vazhdueshme.
Ministri Mucunski, në takimin me të ngarkuarin me punë në ambasadën e Malit të Zi, falënderoi për ndihmën e ofruar në pajisje në përballjen me zjarret. Në takim u diskutua për proceset integruese evropiane të dy vendeve, si dhe u theksua nevoja e përshpejtimit të tyre në interes të stabilitetit rajonal.
Janë shkëmbyer poashtu mendime për aleancën në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunimin rajonal në kontekst të përballjes me sfidat aktuale të sigurisë.
Bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për tema aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, me ç’rast u shpreh gatishmëria e ndërsjellë për bashkëpunim të mëtutjeshëm në kuadër të formateve multilaterale.