Tensionet dhe përplasjet brenda partnerëve të koalicionit në Prishtinë e Washington i kanë paraprirë marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, të premten e kaluar. Aleanca për Ardhmërinë është irrituar me deklaratat e kryeministrit Hoti se nuk ka pasur diçka kontestuese sa i përket pikës së marrëveshjes që flet për Liqenin e Ujmanit. Megjithë pohimet e Hotit se nuk ka pasur ndërhyrje në drafte para nënshkrimit të atij final në Shtëpinë e Bardhë, atë e demanton dokumenti një kopje të të cilit ka arritur ta sigurojë “Koha Ditore”.
Në draftin fillestar që u ka shkruar palëve thuhet se, “të dyja palët do ta ndajnë Liqenin e Gazivodës si burim i besueshëm për furnizim me ujë dhe energji”.
Burime të sigurta të “Kohës” thonë se, kjo pikë tashmë ishte pranuar nga Kryeministri Hoti, dhe për këtë arsye Haradinaj doli publikisht për të paralajmëruar kundër nënshkrimit të saj.