Muzhaqi: Buxheti 2025 për rininë, 54% më i rritur krahasuar me vitin e kaluar

nga D V

Buxheti për rininë është rritur me 54% krahasuar me vitin e kaluar. Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha se ky buxhet synon fuqizimin e të rinjve shqiptarë përmes programeve gjithëpërfshirëse që janë parashikuar gjatë vitit të ardhshëm.

“Buxheti për Rininë është një element kyç në përpjekjen tonë për të fuqizuar të rinjtë shqiptarë! Të hënën, do të jem në Kuvend për të prezantuar programet e reja që do të mbështeten nga buxheti 2025 për rininë, i cili për vitin e ardhshëm është rritur me 54%. Nëse ke një ide apo sugjerim që mendon se duhet adresuar, më shkruaj këtu! Le të punojmë bashkë për një të ardhme më të mirë për të rinjtë”, tha Muzhaqi në postimin në rrjetet sociale.

Në projektbuxhetin e vitit 2025 janë planifikuar 333 milionë lekë, të cilat do të shkojnë në mbështetje të drejtpërdrejtë për të rinjtë, krahas dhe investimeve të tjera indirekte për rininë. Pjesa më thelbësore e këtyre shpenzimeve shkon për financimin e organizatave rinore dhe për të rinjtë nëpërmjet thirrjes vjetore për mbështetje me fonde grant për shoqërinë civile, me qëllim fuqizimin, trajnimin dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës. Programe të tjera që realizohen përmes këtij buxheti përfshijnë zbatimin e strategjisë kombëtare të rinisë nëpërmjet programit të ri të praktikave të punës, programit të të rinjve të talentuar, dhe programit të nismave komunitare të drejtuara nga të rinjtë, si dhe aktivitete që kanë si qëllim edukimin joformal si shkolla verore për të rinjtë e këshillave vendorë rinorë dhe këshillin kombëtar rinor, shkolla dimërore për punonjësit rinor.

Rritja e mbështetjes buxhetore për rininë për vitin 2025 vjen në kuadër të punës së konsiderueshme të zhvilluar gjatë këtyre viteve me qëllim fuqizimin e politikave rinore, duke filluar që me hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë, por edhe ristrukturimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë me qëllim fuqizimin e rolit të kësaj të fundit në kuadër të mbështetjes së të rinjve në të gjithë Shqipërinë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More