​“Na kanë shkatërruar shtëpinë e gjithçka”, dosja për dëme të luftës dërgohet sërish në Kushtetuese

nga D. V.
Getting your Trinity Audio player ready...

Organizata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit” ka dorëzuar për herë të trembëdhjetë dosjet e radhës në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme që kishte refuzuar paditë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i organizatës “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta tha se gjykatat në Kosovë nuk janë duke i zbatuar ligjet përkatëse për të cilat janë kompetente, derisa përmendi Ligjin për procedurën kontestimore, raporton kp.

“Që 17 vjet jemi duke punuar ditë e natë për të gjitha palët e dëmtuara më cilësinë e viktimave të luftës, me një të vetëm kundër qeverisë së Serbisë për kompensim të dëmeve. Sot është e trembëdhjeta herë që i dorëzojmë dosjet këtu. Gjykatat e rregullta dhe Supremja nuk janë duke i zbatuar ligjet përkatës për çka janë të thirrur dhe janë kompetent…”, tha ai.

Bejta tha se përgjatë këtyre viteve prej kur po dërgohen këto dosje, gjykatave është duke u cilësuar kërkesa të papranueshme.

Ai përmendi nenin 53 të Kushtetutës që sipas tij i obligon gjykatat, përfshirë atë Kushtetuese, që aktet e veta t’i harmonizojnë me vendimet e Gjykatës Evropiane për Liri dhe të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Bejta tregoi se deri më tani kanë arritur t’i mbledhin mbi një mijë dosje sa i përket dëmeve të shkaktuara gjatë luftës, transmeton KosovaPress.

“Gjatë këtyre viteve, përgjigja është kërkesa sikur të papranueshme. Gjykata Kushtetuese nuk është duke shqyrtuar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të vendimit të Gjykatës Supreme. Përndryshe do ta gjejë se gjykatat e rregullta kanë bërë shkelje…Gjykata Kushtetuese është duke e shkelur Kushtetutën. Është neni 53 që definon se jo që ka të drejtë, por gjykatat tona, përfshirë edhe Kushtetuesen jo që kanë të drejtë por kanë obligim që aktet e veta t’i harmonizojnë me vendimet e Gjykatës Evropiane për Liri dhe të Drejtat e Njeriut në Strasburg… Sasia e dosjeve, ne i kemi mbi një mijë dosje, mbi 110 dosje që janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, përgjigja është e njëjtë. E dinë që Kosova nuk është në Këshillin e Evropës, shumë afër kemi qenë vitin e kaluar të anëtarësohemi. Nuk po kemi të drejtë t’i përcjellim në Strasburg ndaj ato po ndalen këtu”, u shpreh Bejta.

Ndërkaq, pala paditëse kësaj here ishte Muhamet Fejza nga fshati Vajnikë i Skenderajt.

Ai tha se lufta e fundit në Kosovë i ka shkaktuar shumë dëme, duke përfshirë shkatërrimin e shtëpisë dhe lokalit.

“Dëme të mëdha kanë qenë, lokalin na e kanë shkatërruar. Shtëpitë na i ka ë shkatërruar, traktorët na i kanë marrë. Gjithçka që kemi pasur e kanë shkatërruar”, tha Fejza.

Organizata “Ngritja e Zërit”, që nga viti 2008, ka ndërmarrë veprime ligjore për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta.

Deri më tani, kjo organizatë ka hartuar dhe dorëzuar rreth 1 mijë kërkesëpadi në gjykata në shumicën e komunave të Kosovës. Megjithatë, të gjitha këto padi janë refuzuar nga gjykatat me arsyetimin se një shtet tjetër nuk mund të paditet në këto rrethana.  /KP/

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More