Agjencia Zhurnal.mk

Ndërkombëtarët nëpërmjet “Kryeministri shqiptar” do ta testojnë sinqeritetin e Zaevit!

Editorial Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 18 korrik – Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev duket se e kishte vetëm sa për sy e faqe konceptin e tij “një shoqëri për të gjithë”, e kjo po dëshmohet me refuzimin për të pranuar që një shqiptar të udhëheqë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Në vitin 2016, kur Zaev u fut në zgjedhje, para qytetarëve, e sidomos para shqiptarëve doli me tezën e një koncepti qytetar, ku të gjithë do të jenë të barabartë. Ky guxim dhe kjo vendosmëri e tij që të gjithë qytetarët t’i trajtojë si të barabartë u përshëndet edhe nga ndërkombëtarët, të cilët vazhdimisht kishin kërkuar një koncept qytetar për Maqedoninë e Veriut, si zgjidhja më e mirë për një demokraci të zhvilluar ku të gjithë qytetarët do të jenë të lumtur.

Në atë kohë, Zaev e shfrytëzoi revoltën e shqiptarëve ndaj ish kryeministrit Gruevski, i cili me nacionalizmmin e tij dhe qasjen refuzuese e nënçmuese ndaj shqiptarëve e kishte humbur besimin se mund të ndryshojë diçka për të mirë. Shqiptarët i dhanë besimin e plotë Zaevit që ta çojë shtetin përpara, drejt Bashkimit Evropian dhe drejt NATO-s, gjë që mori edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve duke përkrahur vazhdimisht hapat pozitiv që i ndërmerrte qeveria.

Por, fushata zgjedhore tregoi një pjesë të realitetit politik dhe nacionalizmit që fshihet brenda vetë LSDM-së, e cila brenda për brenda saj ka dilema nëse duhet të shkojnë ende me konceptin e shoqërisë së hapur, apo duhet t’i kthehen rrënjëve nacionaliste.

Nëse analizohen mediat gjermane, duket qartë se porosia që vjen nga Berlini zyrtar dhe shumë kancelari perëndimore është se a do ta tejkalojë Zaevi testin me të cilin përballet. Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” me titullin “Kërkesa maksimale”, e shtron tezën e “problemit shqiptar të Zaevit”, ku e përmend edhe deklaratën se LSDM do të huazojë edhe deputetë nga VMRO-ja nëse është e nevojshme që mos t’ua japë shqiptarëve postin e kryeministrit. Analiza e gazetës gjermane e përmend edhe faktin se me kryeminsitrin shqiptar, gjuha shqipe do të mësohet në të gjitha shkollat e Maqedonisë së Veriut.

“Sipas rezultateve të zgjedhjeve, Zaev mund të vazhdojë koalicionin me BDI-në e Ahmetit. Partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë Veriore në dy dekadat e fundit pothuajse gjithmonë ka qenë e përfshirë në qeveri dhe konsiderohet ideologjikisht fleksibile. Por partia zhvilloi fushatën e saj zgjedhore me kërkesat maksimale etnike. Kështu, BDI, dëshiron të hyjë në bisedime të koalicionit vetëm nëse një kandidat nga popullata shqiptare bëhet kryeministër. Kandidati i planifikuar për postin e Kryeministrit, nga ana tjetër, njoftoi, ndër të tjera, se ai dëshiron ta bëjë gjuhën shqipe një lëndë të detyrueshme në të gjitha shkollat.

Kërkesa të tilla shkojnë shumë larg edhe për Zaevin, megjithëse ai i kishte dalë në ndihmë popullatës shqiptare më shumë se çdo kryeministër i mëparshëm. Ai foli për shantazhime dhe njoftoi para zgjedhjeve se nëse do të ketë nevojë  do të huazonte votat që mungonin për të formuar një shumicë qeveritare nga VMRO-ja. Kjo parti është rivalja më e madhe politike e brendshme e socialdemokratëve të Zaevit, por gjithashtu hedh poshtë edhe më ashpër thirrjet për një shqiptar të bëhet kryetar i qeverisë dhe me siguri do të kërkojë pa kushte të parandalojë një qeveri me përparësi të tilla”, thuhet mes tjerash në gazetën FAZ.

Media tjera gjermane dhe ato zvicerane, kryesisht raportojnë se ka fituar tabori pro-europian, që në një farë mënyre e konstaton edhe mbështetjen e BE-së dhe perëndimit për qeverisjen e deritanishme dhe hapat që filluan të merren për një shoqëri më të barabartë për të gjithë.

LSDM dhe Zaev i kishin zhgënjyer njëherë ndërkombëtarët, kur në zgjedhjet lokale të e vitit 2013 kishin vendosur të përkrahin VMRO-në me të vetmin qëllim që kryetar i Kërçovës dhe Strugës mos të zgjidhet një shqiptar. Ky veprim iu kishte marrë shumë për të madhe partisë majtiste maqedonase, sepse shpresonin se ata ishin e vetmja parti shpresë për vendin pas regjimit të Gruevskit.

“Një shoqëri për të gjithë” nënkupton që edhe një shqiptar mund të bëhet kryeministër, që edhe gjuha shqipe mund të mësohet e flitet në të gjitha qytetet e Maqedoinsë së Veriut ngjashëm siç mëoshet gjuha maqedonase, që qasje në institucionet shtetërore, në diplomaci, financa, siguri, zbulim-kundërzbulim, ekonomi etj., mund  të kenë edhe shqiptarët.

Topi i hedhur tani ka mbetur tek LSDM-ja e Zoran Zaevit, i cili pritet të tregojë se a është ende për një shoqëri të hapur, ku çdo qytetarë mund të ketë të drejtën të arrij në çdo post, ose ka pozita të cilat janë ekskluzivisht për maqedonasit dhe shqiptarët si kategori e “dytë” nuk mund të arrijnë asnjëherë në këto pozita.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...

Regjistrim Domain, Ueb Hosting, Uebfaqe për kompaninë tuaj, vetëm për    273 euro

error: Content is protected !!