Ndërtimi i digës në fshatrat Runicë dhe Sllupçan është lënë në harresë

nga Xh M

Likovë, 2 mars – “Prej këndej, nga kjo ana tjetër ku është gurorja, e kanë shpuar deri lart. Se sa e trashë do të bëhet nuk e di por lartësia diku 40 metra”, tha Banor i Sllupçanit.

Kjo është rruga lokale në Sllupçan e cila të dërgon për në fshatin Runicë të Likovës, zonë ku është paraparë të ndërtohet digë e re. Kjo digë ka për qëllim furnizimin e fshatit me ujë të pijshëm dhe ujë për ujitje të tokave. Gjatësia e saj mund të shkojë deri në 1km. Banorët e Sllupçanit mezi e presin këtë pendë, por megjithatë, nuk do ta pranojnë me çdo kusht. Duan që një pjesë e ujit, të rrjedhë për lumin që kalon përmes fshatit.

“Para se me e nisë, ne të gjithë jemi me qëndrim të njëjtë, i gjithë fshati me pesë mijë banorë, do të dalim dhe do t’i kërkojmë kushtet e tona. Për çfarë do të bëhet kjo? Se thuhet se si rezervë do të qëndrojë për digat tjera në Likovë e kjo me motorë e nuk e di me çka, sigurisht me motorë elektrik e dërgojnë atje që të ketë rezervë. Por siç flasin, asnjëherë nuk punohet”, tha një banor i Sllupçanit.

“Po ka 15 vite që premtojnë, deri tash asgjë nuk është bërë. Tani në të ardhmen së paku të bëhet për të rinjtë, për gjeneratat e ardhshme. Kemi dëshirë sa më shpejtë të bëhet që të kemi ujë. Komuna e gjitha është nën ujë, e ujë nuk ka”, shtoi një tjetër banor.

Para tre viteve është bërë studim fizibiliteti dhe inspektimi i kushteve për ndërtimin e digës, por qe tre vite nuk është punuar asgjë. Siç njofton zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti ky projekt nuk pritet të fillojë as sivjet pasi nuk ka para.

“Në këtë fazë çështja e buxhetit dhe financimit është problematike, duke ditur se kemi shkurtimin e buxhetit, por unë shpresoj që në rebalancin e buxhetit ne ta ngremë këtë çështje sepse është i rëndësishëm si projekt për banorët e asaj pjese ku do të bëhet akumulimi i ujit”, u shpreh Flakron Bexheti – Zv.ministër i Bujqësisë.

Me ndërtimin e digës do të duhet të ndërtohet rrugë tjetër lokale për në fshatin Runicë, gjë për të cilën siç na njoftoi kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi është dhënë leje. Për ndërtimin e digës, duhet të merret leje nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Për këtë projekt, Qeveria në seancën e mbajtur më 06.10.2020 kishte miratuar informacionin për marrjen e lejes nga Qeveria për zbatimin e procedurës për furnizim disa vjeçar dhe mbi këqyrje të punimeve. Punimet duhej të zgjasnin katër vjet ndërsa ishin paraparë 22 milion euro buxhet.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More