Agjencia Zhurnal.mk

Ndryshime të Ligjit në drejtim të pavarësisë më të madhe të Kuvendit

Shkup, 13 janar – Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe koordinatorët e të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në opozitare, deputetëve iu parashtruan ndryshimet dhe plotësime të Ligjit për Kuvendin, në procedurë të shkurtuar. Kjo zgjidhje ligjore në të vërtetë është hapi i parë drejt pavarësimit të plotë të Kuvendit, lidhur me shërbimin kuvendor, Buxhetin, e më pas edhe sigurimin e brendshëm. Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Kuvendin kanë të bëjnë me administratën parlamentare.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në deklaratë për mediumet i sqaroi ndryshimet. Do të ketë sistematizim të ri dhe shërbime të reja, tha ai.

“Si prioritare, duke i pasur parasysh specifikat e punës në Kuvend, sollëm vendim që pavarësimi i Kuvendit të jetë në raport me shërbimin kuvendor. Kuvendi nuk mund t’i plotësojë nevojat e veta lidhur me lëvizjen e kuadrove brenda pa pëlqim adekuat nga Ministria e Financave dhe MSHIA dhe në atë kontekst Propozim – ligji është që Kuvendi më tutje të mos ketë nevojë të kërkojë pëlqim nga financat dhe nga MSHIA, por me organizim dhe me balancim të brendshëm të raporteve në vetë kryesinë e Kuvendit, të krijohen instrumente në mënyrë që në kuadër të buxhetit të harmonizuar të sigurohet për vitin rrjedhës ai buxhet i pavarur me instrumentet e vendosura të kontrollit”, tha Xhaferi.

Me Ligjin lihet mundësia për angazhim të këshilltarëve në Kabinetin e kryetarit të Kuvendit, për çka edhe deri më tani ka pasur mundësi. Megjithatë, Xhaferi thotë se ai nuk ka ndjerë nevojë të angazhojë këshilltarë të posaçëm.

“Çka do të thotë apriori se parashikimi i këshilltarëve në kabinetet adekuate nuk do të thotë se do të ketë nevojë të angazhohen. Lihet mundësia, siç në të vërtetë është edhe të jenë të gjitha institucionet e tjera në organet shtetërore”, tha ai.

Nëpunësit e Kuvendit të cilët mbeten gjatë në punë, ndonjëherë edhe gjatë natës, tani do të kenë mundësi për kompensim material, përkatësisht Ligji parasheh mundësi që punonjësit të cilët do të angazhohen për nevoja specifike të marrin deri 30 për qind nga rroga bazike.

Këto janë vetëm disa nga ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Kuvendin, të cilat priten të sillen nga kjo përbërje kuvendore deri më 12 shkurt, kur Parlamenti duhet të vetëshpërndahet.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...