Shkup, 19 janar – Një grup i punës i formuar nga organizatat mediatike, në konsultim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, Këshillin Etik dhe me mbështetjen e Institutit Maqedonas të Mediave, po punon në ndryshimin e Kodit Etik të Punës së Gazetarëve, të hartuar në vitin 2001.
Sipas anëtarit të grupit të punës, Sefer Tahiri, nevoja për ndryshimin e Kodit Etik erdhi duke pasur parasysh zhvillimin e teknologjisë digjitale që krijoi një epokë të re të mediave të reja, përkatësisht përfshirjen e tendencave të reja që ekzistojnë në sistemin mediatik.
“Ne kemi ndryshime drastike si rezultat i zhvillimit të teknologjisë digjitale apo epokës së re të mediave të reja dhe së këndejmi, duke parë faktet që kanë të bëjnë me zhvillimin e këtyre proceseve, që kryesisht kanë të bëjnë me dezinformatat, që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, që kanë të bëjnë me përdorimin e intelegjencës artificiale, ne e kemi parë të arsyeshme dhe të nevojshme që të bëjmë ndërhyrje në ndryshimin e kodit etik të gazetarëve.” – tha Sefer Tahiri, anëtar i grupit të punës për Kodin Etik në Media.
Kodi i ri etik, Tahiri: Synojmë zvogëlimin e dezinformatave
Tahiri njëherit sqaron se me Kodin e ri synohet rritja e përgjegjësisë së mediave dhe vet gazetarëve ndaj publikut, standardave profesionale dhe normave etike.
“Kryesisht ka të bëjë me rritjen e transparencës së mediave, kryesisht synojmë mediat në të ardhmen, duke respektuar Kodin Etik, të jenë më profesionale në kuptimin që të rrisin procesin apo të rrisin mekanizmat që kanë të bëjnë me verifikimin e fakteve, që janë shumë të rëndësishme për përgaditjen e përmbajtjeve mediatike, qoftë në mediat tradicionale apo në mediat online.” – u shpreh Sefer Tahiri.
Tahiri thotë se Kodi i ri Etik do të duhet të jetë një udhëzues praktik, etik dhe profesional, që gazetarët të jenë më të përgjegjshëm në punën e tyre, prëkatësisht të prodhojnë më pak dezinformata, duke respektuar interesin publik.
Drafti i parë i ndryshimeve në Kodin Etik të Gazetarëve pritet të jetë gati nga mesi i këtij viti dhe i njejti do të jetë në debat publik, ku do të mund të japin sugjerimet e tyre gazetarët, punonjësit mediatik dhe palët tjera të interesuara.
Sipas Tahirit, Kodi i ri Etik duhet të marrë para së gjithash miratimin e gazetarëve, redaktorëve dhe drejtuesve të mediave.