Ndryshimi i çmimeve brenda ditës një goditje e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve!

nga I.A

Shkup, 26 dhjetor – Rritja e çmimeve të produkteve bazë në prag të festave të fundvitit nuk është më një fenomen i rastësishëm, por një praktikë e përsëritur që po shndërrohet në normalitet të rrezikshëm e që pastaj është edhe shumë i dëmshëm. Ndryshimi i çmimeve brenda ditës pa asnjë arsyetim ekonomik të qartë, përbën një formë abuzimi që dëmton drejtpërdrejt qytetarët dhe cenon besimin e tyre në treg dhe institucionet shtetërore, shkruan Zhurnal.

Çmimet duhet të jenë stabile dhe jo të ndryshojnë brenda ditës – 

Në tregje dhe markete, qytetarët përballen me çmime që thyejnë rekorde, siç e kuptojmë ne vet secili prej nesh që jemi blerës. Produktet bazë si mishi, frutat, perimet, vaji, mielli janl të domosdoshme për ushqimin tradicional festiv, po bëhen të paarritshme për një pjesë të madhe të familjeve. Në vend që festat të sjellin gëzim ato sjellin breng dhe shqetësim.

Deklaratat e qytetarëve janë dëshmi e gjallë e realitetit të përditshëm çmimet rriten çdo ditë, madje edhe brenda së njëjtës ditë, duke krijuar pasiguri totale për konsumatorin. Ky fenomen nuk mund të justifikohet me inflacion apo rritje të kostove, sepse nuk shoqërohet me transparencë, as me analiza të qarta ekonomike. Përkundrazi, duket si shfrytëzim i drejtpërdrejtë i rritjes së kërkesës para festave.

Lidhja e Sindikatave me të drejtë ngre alarmin për rritje të paarsyeshme të çmimeve dhe kërkon kontrolle më të rrepta dhe gjoba. Sipas tyre, masat e deritanishme, si kufizimi i marzheve, kanë dhënë efekt minimal për qytetarët, ndërsa dëmi real financiar është shumë më i madh. Nëse shporta sindikale “lehtësohet” me vetëm 100–200 denarë, por qytetarët humbin mbi 1000 denarë në muaj për shkak të rritjeve të fshehta të çmimeve, atëherë këto masa janë më shumë simbolike sesa reale dhe që në fakt nuk prodhojnë kurrfarë rezultati. 

Nga ana tjetër, Inspektorati Shtetëror i Tregut deklaron se është çdo ditë në terren dhe se po kryen analiza. Megjithatë, qytetarët nuk shohin rezultat konkret në xhepin e tyre. Kjo krijon përshtypjen se kontrolli ekziston vetëm në letër ndërsa tregtarët vazhdojnë të veprojnë sipas logjikës së fitimit maksimal pa frikë nga ndëshkimi.

Problemi thelbësor qëndron tek mungesa e reagimit të shpejtë dhe vendimtar të shtetit. Në një periudhë kur qytetarët kanë shpenzime të shtuara institucionet duhet të jenë mburojë që garantojë çmime stabile. Ndryshimi i çmimeve brenda ditës duhet të trajtohet si praktikë e padrejtë tregtare dhe të sanksionohet qartë që të gjithë ta marrin mësimin e duhur njëherë e përgjithmonë. 

Kujtojmë që, festat nuk duhet të jenë justifikim për keqpërdorim ushqimi tradicional nuk është luks, por pjesë e identitetit dhe dinjitetit të qytetarëve. Nëse institucionet nuk ndërhyn me masa konkrete e të duhura atëherë përgjegjësia për varfërimin e qytetarëve do të bjerë drejtpërdrejt mbi institucionet që kanë për detyrë t’i mbrojnë ata dhe jo të krijojnë terren të përshtatshem për keqpërdoruesit edhe në ditë festash. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More