Në 38 gradë Celcius, opozita proteston para bashkisë së Tiranës

nga D V

Një javë pas protestës kombëtare të 11 korrikut, e cila përfundoi para dyerve të bashkisë së Tiranës, opozita ka dalë sot sërish në shesh për të protestuar kundër skandalit korruptiv të dosjes ‘5D’, duke kërkuar dorëheqjen e Erion Veliajt.

Prej orës 11:00, edhe pse nën temperatura të larta që shkojnë në 38 gradë Celcius, dhjetëra qytetarë dhe përfaqësues të PD e PL janë grumbulluar para derës kryesore të bashkisë.

Temperaturat e larta kanë ndikuar në pjesëmarrjen e protestës pasi ka një numër më të reduktuar qytetarësh që kanë dalë në shesh. Shumë prej atyre që janë pjesëmarrës kanë zgjedhur të mbrohen me çadra, të cilat mbajnë logon ku kërkohet lirimi i kreut të PD, Sali Berisha.

Organizatorët kanë vendosur të mos ketë djegie gomash, por në shenjë revolte nuk përjashtohet që të hidhen shishe molotov në drejtim të bashkisë.

Në fjalën e tij para protestuesve, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teleti tha se nuk do të ketë amnisti për drejtorët e dosjes ‘5D’, pasi ata janë pasuruar duke vjedhur taksat e qytetarëve të Tiranës.

“Për drejtorët që në bashkëpunim kanë gllabëruar 30 milionë euro nga taksapaguesit e Tiranës nuk ka amnisti. Për ata që po shkatërrojnë Tiranën çdo ditë e po ndërtojnë kulla për miqtë e tyre oligarkë nuk ka amnisti. Nuk ka amnisti për ata që taksat e Tiranës nuk i kthyen në shërbime por i vodhën. Nuk ka amnisti për askënd që vjedh të ardhmen dhe të tashmen e fëmijëve tanë. 17 herë jemi mbledhur para godinës së korrupsionit. Rama dhe Veliaj, largohuni një orë e më parë, vendi juaj nuk është në zyrat e shtetit por në burg. Amnisti për kriminelët nuk ka, populli foli e do të flasë”, tha ai.

Policia sakaq, prej orës 09:30 ka nisur bllokimin e disa segmenteve rrugore, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës, duke i bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen në qendër të kryeqytetit dhe të përdorin rrugë alternative si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Ndërkohë, forca të shumta policie kanë krijuar si edhe në protestat e mëparshme, një kordon para godinës së bashkisë, duke rikthyer edhe gardhin metalik.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More