Shkup, 28 prill – Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ngadalësohet me ritëm të moderuar në vitin 2025, për shkak të kërkesës së jashtme më të ulët si dhe pasigurisë ekonomike të krijuar si rezultat i ndryshimeve që po ndodhin në politikat tregtare globale, të cilat mund të ndikojnë në besimin e bizneseve dhe të konsumatorëve, thuhet në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot.
Banka Botërore parashikon se norma e përbashkët e rritjes ekonomike e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të arrijë në 3.2% në vitin 2025, që paraqet një ndryshim me 0.5 pikë përqindje më pak nga parashikimi i mëparshëm. Rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3.5% në vitin 2026.
“Ne po vërejmë disa tendenca pozitive ekonomike në Ballkanin Perëndimor, të cilat nxjerrin në pah qëndrueshmërinë e rajonit dhe mund të mbështesin rritjen solide të tij. Inflacioni më i ulët dhe rritja e pagave mbështesin konsumin, ndërsa investimet publike po rriten,” thotë Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Nga ana tjetër, po vërejmë rritje të pasigurisë së brendshme në disa nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Bashkimin Europian dhe pasiguritë në rritje në tregtinë globale gjithashtu mund të ndikojnë negativisht perspektivën e rritjes ekonomike të rajonit.”
Pasiguria në tregtinë globale ka gjasë të prekë Ballkanin Perëndimor, kryesisht si rrjedhojë e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në zonën e euros. Ky ngadalësim mund të zvogëlojë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe investimet dhe dërgesat.
Raporti sugjeron se strategjitë më efikase për ruajtjen e stabilitetit ekonomik gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike janë diversifikimi i burimeve të rritjes dhe rinovimi i agjendës së reformave strukturore. Masat kryesore përfshijnë eliminimin e barrierave në tregun e punës – përfshirë ato që prekin gratë – forcimin e integrimit ekonomik rajonal, përmirësimin e standardeve të qeverisjes dhe rritjen e konkurrencës në treg për të nxitur produktivitetin dhe mbështetur rritjen ekonomike afatgjatë thuhet në komunikatë.