Gostivar, 1 nëntor – Në fshatin Banjicë të Komunës së Çashkës ka filluar ndërtimi i Shkollës Fillore periferike “Dituria” ku mësimin do ta ndjekin nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Sipas Ministrisë së Arsimit, tashmë është vendosur një platformë betoni ndërsa I gjithë procesi pritet të përfundojë brenda dy muajsh dhe gjatë kësaj periudhe kryetari i komunës së Çashkës duhet të sigurojë pajisje për objektin e ri shkollor. Xhafer Xhaferi banor i fshatit Banjicë tha për Alsat se punimet tashmë katër ditë po zhvillohen intenzivisht duke shtuar se të njëjtat janë paralajmëruar të përmyllen më 15 dhjetor. Sipas Xhaferit, objekti parasheh tre klasë ndërsa ndërtimi është prej çeliku.
“Po punohet gati katër ditë, çdo ditë vijnë edhe kanë thënë që deri më 15 dhjetor do të përfundoj. Për momentin seriozisht janë tu punu, vijnë gjashtë-tetë vetë. A do të përfundoj në kohën që kanë thënë, në kohën e caktuar apo jo nuk e di, premtime na kanë dhënë se do të përfundojë. Kanë thënë me çelik do të bëhet, me ato panellet”, deklaroi Xhafer Xhaferi , banor I f.sh Banjicë.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska ka deklaruar se investimi për objektin e ri shkollor kap shumën prej 6,6 milionë denarë. Në objektin e ri shkollor mësimi do të zhvillohet në gjuhën shqipe. Ndërkohë, në shkollën fillore “Todor Janev” në Çashkë, nxënësit shqiptarë nga klasa e tretë e deri atë të nëntë vazhdojnë të arsimohen në gjuhën maqedonase për shkak të mungesës së paraleleve shqipe.