Maria, një shitëse rreth të gjashtëdhjetave e një dyqani ushqimor në qendër të fshatit Gjadër në Lezhë thotë se që kur italianët filluan punën për ndërtimin e kampit të refugjatëve, xhiroja në dyqanin e saj është dyfishuar.
“Kam shitur vetëm për një ditë 200 shishe me ujë, kur në kushte normale, ato s’i shisja as për tre muaj”, thotë gruaja, e kënaqur si po shkojnë punët në ditët e fundit.
I mpakur prej vitesh nga emigracioni masiv, fshati i Gjadrit është gjallëruar së fundmi nga prania e rreth 150 punëtorëve dhe dhjetra karabinierëve që po punojnë për ngritjen e kampit të refugjatëve pas marrëveshjes kontroverse mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni nëntorin e vitit të kaluar.
Marrëveshja është kundërshtuar gjerësisht nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe komuniteti i zonës, por tashmë një pjesë e banorëve si Maria po shpresojnë se kampi mund të jetë një mundësi e mirë ekonomike për ta.
Protokolli mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane parashikon ngritjen e një qendre pritjeje në portin e Shëngjinit dhe një kampi të mbyllur në Gjadër për refugjatët nga Lindja e Mesme apo Afrika e Veriut që kapen në detin Mesdhe.
Një pjesë e tyre parashihet të transferohen në Shqipëri për t’u procesuar ndaj kërkesave për azil, një praktikë e cila kritikohet se bie ndesh me ligjet ndërkombëtare nga organizatat e të drejtave të njeriut. Sipas protokollit, në Shqipëri do të transferohen jo më shumë se 3 mijë emigrantë në të njëjtën kohë.
Dy kampet janë të rrethuar me mure të larta metalike të ngjashme me burgjet. Qendrat do të jenë nën administrim të Italisë dhe shihen nga qeveria italiane si një formë presioni për të trembur dhe frenuar refugjatët që synojnë në mënyrë të paligjshme brigjet italiane.
Qendra pritëse në portin e Shëngjinit u inaugurua në qershor, në mes të fushatës për zgjedhjet Europiane nga Meloni dhe Rama. Ndërkohë, kampi në Gjadër ishte parashikuar të inaugurohej në gusht të këtij viti, por punimet aty janë zvarritur për disa muaj.