Dje me tim vëlla Bakiun dhe bashkëshortët tona ishim në Kosharen heroike, në vendin ku triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, bëri që të shembet muri qindra vjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Ishim në nderim të kësaj beteje atëbotë e cila zgjati nga 9 Prilli deri më 10 Qershor 1999.
Ndërkohë, çka nuk më sillet ndër mend? Përpara shtrihet rrafshi i Dukagjinit. Aty ku rikujtesa kthehet tek Gurkufiri “RSFJ” i cili kishte rënë përmbys.
Në këtë vend, luftëtarët e kësaj beteje, thonë se te lisat e mëdhenj në Koshare kishte mbi dy metra borë. Tregojnë për borën e skuqur që na solli lirinë, për 114 dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, në krye më Salih Çekaj, Agim Ramadani më shokë, të cilët janë sublimimi më i mirë i vlerave për liri dhe pavarësi të Kosovës. Është vendi ku fjalët të lidhën nyje! Kjo betejë tregon strategjin e unitetit dhe bashkimit në të cilën mbanë epitetin e Komandantit Agim Ramadani- KATANA, Salih Çekajt-VETERANI e Xhemajl Fetahut. Kosharja e lavdisë, tregon zonën e parë të çliruar që mund të quhet edhe si ishulli i parë që u mor në dorëzim nga UÇK. Na kujton 87 vjet robëri, luftëra të pa ndërprera për çlirim e bashkim kombëtar, burgime, ndjekje, dëbime, vrasje, zhdukje, uzurpime të pasurisë, djegie, masakrime, genocid e pastrim etnik, 87 vjet në kërkim të lirisë, të pavarësisë e të demokracisë. Kjo betejë na kujton dhe shquhet ndër të tjera dhe për drejtimin e saj nga komandantë profesionistë, si Rrustem Berisha, Agim Ramadani, Salih Çekaj, Anton Çuni e të tjerë.