Shkup, 14 gusht – Temperaturat e larta duket se kanë detyruar shumë qytetarë të ndryshojnë menynë e ushqimit për të mos rrezikuar shëndetin e tyre.
Gjatë motit të nxehtë, disa nga qytetarët preferojnë ushqim të lehtë dhe sa më shumë lëngje.
Thuajse çdo qytetar që doli nga tregu i gjelbër në qeset e plastikës kishte pemë dhe perime.
Ndërkohë që bëjnë kujdes me ushqimin, shumë prej qytetarëve, posaçërisht ata më në moshë nuk i përmbahen rekomandimeve për mbrojtje nga vala e të nxehtit.
“Më shumë domate dhe sallatë. Nëse duhet dal prej në mëngjes përndryshe është shumë nxehtë. Për herë të parë po dal në këtë kohë, banjo këtu afër prandaj”, tha një qytetar.
“Nëse duhet patjetër se do të dal, Qeveria ka para, ne nga të marrim. Patjetër të dalësh të punosh që të fitosh”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Pemë dhe perime. Organizmi nuk më kërkon mish dhe gjëra të tilla. Është shumë nxehtë këto ditë, rekomandimet janë që mos të dilni jashtë. Pij më shumë ujë. Dilni gjatë ditës ose? Kur e kam patjetër”, theksoi një qytetar.
Shitësit e pemëve dhe perimeve thonë se temperaturat e larta ndikojnë në prishjen e shpejtë të prodhimeve. Siç thana ata, domatet janë më të ndjeshme dhe prishen më shpejtë.
“Varet sa kohë do të qëndroj në tezgë dhe si do të shitet, domatet janë më të ndjeshme dhe prishen shpejt, të tjerat jo edhe aq, vetëm domatja. Kryesisht blejnë pemë dhe perime, ajo që është sezonale”, tha një shitëse.
Rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta janë në fuqi edhe gjatë ditës së enjte. Grupet më të rrezikuara, si gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, lirohen nga detyrimet e punës gjatë kësaj periudhe.
Punëdhënësit duhet të riorganizojnë aktivitetet e punës së punëtorëve të ndërtimit dhe punëtorëve që punojnë jashtë, duke shmangur ndërtimet dhe aktivitetet e tjera të punës në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00.