Shkup, 8 gusht – Mungesa e fuqisë punëtore po sjellë probleme të mëdha për bizneset vendore. Këtë fakt e pohojnë edhe nga Sindikatat edhe nga sektori privat në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ky është vetëm njëri dimension i problemit. Dimensioni tjetër tregon se në vendin tonë edhe më tej janë të papunësuar mbi 100 mijë persona të aftë për punë. Atëherë ku qëndron problemi?
Është e qartë se trajtimi jo i mirë ndaj punëtorëve, ka sjellë këtë situate, ku kemi të papunësuar, por që nuk pranojnë ofertat e punës. Që do të thotë se në Maqedoninë e Veriut ka punëtorë por nuk ka punëdhënës seriozë. Kutpohet nuk janë të gjithë njësoj. Shumica prej tyre ia dinë vlerën punëtorit, por duhet të pajtohemi se ka edhe të tillë që japin imazh të keq për gjithë punëdhënësit, shkruan Zhurnal.
Ka punëdhënës që një gjë meren vesh me punëtorin, kurse pastaj kërkojnë më tepër punë nga ajo që parashe vendi ku është pranaur dhe nga marrëveshja që e ka bërë me punëdhënësin. Ata mundohen deri në maksimum të eksploatojnë punëtorët, deri sa t’u plasë filmi dhe të vetëlargohen, duke kaluar ose te punëdhënës tjetër, ose duke kërkuar rrugë për të shkuar në Perëndim. Pastaj, këta punëdhënës joseriozë dalin në opinion dhe derdhin lotë krokodili, se nuk ka fuqi punëtore. Nuk janë aspak të vetëdijshëm se vetë janë fajtorë për një situatë të tillë.
Të kuptohemi, ka edhe persona të atillë që nuk duan të punojnë, por u mjafton të jetojnë me një ndihmë sociale, por numri i tyre është i vogël. Shumë prej tyre më mirë zgjedhin të rrinë në shtëpi, ose të punojnë punë sezonale nga tre katër muaj jashtë vendit, se sa të çajnë kokën me lloj –lloj “biznesmeni” këtu tek ne, që nuk din fare ta respektojë vlerën dhe dinjitetin e punëtorit. Pati tentime që vakumi të plotësohet me punëtorë nga Bangladeshi e nga India, por më kot. Shumica e tyre u rikthyen, sepse as ata nuk duan të nëpërkëmben në mënyrën siç janë mësuar të nëpërkëmbin punëtorin disa punëdhënës këtu tek ne.
Problem tjetër janë edhe punësimet jo adekuate në profile të caktuara për çka edhe studiojnë, pagat e ulëta dhe orari i stërzgjatur. Tani kur kufijtë nuk janë të mbyllur si dikur, qytetarët kërkojnë më shumë kushte pune. Edhe pse kërkesat e tyre janë në përputhje me mundësitë e biznesit, vetë bizneset nuk reagojnë ashtu siç duhet.
Po të mos ishte një pjesë e madhe e fajita tek punëdhënësit, e jo vetëm tek mungesa e fuqisë punëtore, atëherë vendet si Gjermania nuk do të kishin kërkuar punëtorë dhe nuk do të kishin bërë lehtësira në ambasadat e tyre për qytetarët e vendit tonë. Prandaj edhe institucionet duhet që të kenë një qasje më serioze ndaj këtij fenomeni. Kemi punëtorë të cilët ankohen që u ofrohet rrogë solide, por me kusht që gjysmën e saj t’ia kthejnë shefit, sapo ta marin nga bankomati. Ata durojnë deri sa nuk gjejnë rrugëdalje tjetër, por kur gjejnë rrugëdalje nuk kthehen më këtu për të punuar edhe po tua japësh rrogën 5.000 euro në muaj, shkruan Zhurnal.
Sezoni veror është një tregues në vete. Shumë qytetarë tanë më parë zgjedhin të punojnë 3-4 muaj në Kroaci, Slloveni, Shqipëri, Mal të Zi ose Greqi, se sat ë gjejë një punë më afatgjate në vendlindje. Kjo tregon në njërën anë se rrogat tek ne ende janë të vogla dhe se për 3-4 muaj punë sezonale mund të fitohet më tepër se te ne gjatë tërë vitit, por njëkohësisht tregon se edhe nëse fitojnë më pak me punë sezonale, kokën e kanë më rehat.
Institucionet kompetente shtetërore por edhe Odat Ekonomike në vend duhet të merren më seriozisht me këtë problem-apostafat t’u mbajnë ligjërata biznesmenëve vendorë për të ju sqaruar se nëse punësojnë një punëtor, kjo nuk u jep të drejtë që të luajnë edhe me diniitetin e tij. Poashtu duhet t’u shlyhet bindja që kanë shumë punëdhënës tek ne, të cilët mendojnë se nëse e punësojnë një person, po e ushqejnë atë dhe familjen e tij me bukë. Është bindje mjaft e përhapur kjo tek ne, shkruan Zhurnal.
Ata që duan të zhvillojnë një biznes, qoftë me dy, qoftë me dy mijë punëtorë, duhet ta dinë se interesi është reciprok, e madje t’ia puthin duart punëtorit, ashtu siç kemi parë disa fotografi në rrjetet sociale. Sepse as punëtori nuk mund të jetojë pa pagën e merituar tek punëdhënësi, por as punëdhënësi nuk mund të mbijetojë pa punën e punëtorit. /Zhurnal