Në Maqedoninë e Veriut të drejtat e punëtorëve shkelen sistematikisht!

nga I.A

Shkup, 15 maj – Sipas raportit vjetor të Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave për të drejtat e punës në botë, situata në Maqedoni është alarmante. Studiuesi Branimir Jovanoviq nga Institutit i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare thekson se vendi renditet si një prej vendeve ku të drejtat e punës shkelen sistematikisht. Për punëtorët flitet shpesh, por rrallë herë flitet për “armën” mbrojtëse të punëtorëve që është ligji për marrëdhënie të punës. Në fakt, ekziston ky ligj por pak më respektohet, e më keq se kaq edhe ligji ashtu si është nuk është i përshtatshëm mjaftueshëm për punëtorët. Prandaj, edhe duhen reforma të thella në këtë ligj në mënyrë që punëtorët të jenë të mbrojtur, të përfaqësuar dhe të mos shtypen, shkruan Zhurnal.

Maqedonia e Veriut renditet su vend ku të drejtat e punës shkelen sistematikisht –

Jovanoviq shton se injorimi i marrëveshjeve kolektive dhe refuzimi për rritjen e pagave ka çuar në një përkeqësim të situatës, duke shkaktuar greva të përgjithshme në sektorin publik. Ai gjithashtu thekson se të drejtat e punës janë thelbësore për të parandaluar shfrytëzimin dhe shtypjen në vend, dhe mungesa e tyre dëshmon për pamundësitë e qeverisë për të garantuar kushtet e punës të drejta.

Për të përmirësuar situatën, Jovanoviq propozon që autoritetet të dëgjojnë kërkesat e punëtorëve dhe sindikatave dhe që punëtorët të jenë më aktivë në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ai gjithashtu thekson nevojën për bashkëpunim dhe përjashtimin e armiqësive në këtë luftë për të drejta më të mira për të gjithë.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Angel Dimitrov, argumenton se të drejtat e punëtorëve në vend janë në përmirësim të vazhdueshëm, sidomos për shkak të ndryshimeve në tregun e punës. Megjithatë, ai vë në dukje se problemet mbeten në procedurat burokratike dhe administrimin e panevojshëm të ligjeve të punës.

Dimitrov propozon një zbatim të barabartë të ligjit për marrëdhëniet e punës në të gjithë vendin dhe në të gjithë sektorët, duke shmangur ngarkesat burokratike dhe duke siguruar respektimin e të drejtave të punëtorëve nga të gjithë palët.

Çfarë rregullon ligji për marrëdhënie të punës?

Qëllimi i ligjit është përfshirja e punëtorëve në procesin e punës si dhe sigurimi i zhvillimit të harmonizuar të këtij procesi, me çrast respektohet e drejta e punëtorëve për lirinë e punës, dinjitetin dhe mbrojtjen e interesave të punëtorëve në marrëdhënien e punës.

Në dispozitën e përgjithshme të këtij ligji në nenin 1 thuhet: Me këtë ligj rregullohen marrëdhëniet e punës ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve, që themelohen me lidhjen e marrëveshjes për punësim. Marrëdhënia e punës rregullohet me këtë dhe me ligj tjetër, me marrëveshjen kolektive dhe marrëveshjen për punësim.

Ndërkaq, rregullimi i marrëdhënieve të punës përcaktohet me nenin 3 të këtij ligji i cili thotë: (1) Ky ligj i rregullon edhe marrëdhëniet e punës të punëtorëve të punësuar në organet e pushtetit shtetëror, organet e njësive të vetadministrimit lokal, institucionet, ndërmarrjet publike, entet, fondet, organizatat dhe të personave të tjerë fizikë e juridikë të cilët punësojnë punëtorë, nëse me ligj tjetër nuk është rregulluar ndryshe. (2) Marrëdhënia e punës mund të shuhet vetëm në mënyrë dhe kushte të përcaktuara me ligj dhe me marrëveshje kolektive. (3) Në marrëdhënien e punës secila palë obligohet ti plotësojë të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e përcaktuara dhe të kontraktuara.

Megjithatë, siguria dhe shëndeti gjatë punës (SSHP) paraqet një prej rregullave themelore të punëtorëve, që është përcaktuar si e tillë në kuadër të konventave të Organizatës ndërkombëtare të punës, në legjislaturën e Bashkimit Evropian, Deklaratën sociale Evropiane të Këshillit të Evropës, kurse e njëjta është garantuar si e drejtë edhe me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sfera e sigurisë dhe shëndetit gjatë punës, si e jashtëzakonshme dhe komplekse dhe para se gjithash edhe sferë multi-sektoriale dhe multi disiplinore, është e rregulluar me një numër të madh të akteve ligjore dhe nënligjore, kurse për zbatimin dhe implementimin e tyre është e domosdoshme të ketë koordinim, komunikim dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe organeve të ndryshme, partnerëve social si dhe subjekte tjera relevante. Kështu thuhet në Ministrinë për punë dhe politikë sociale, që në fakt praktika nuk përputhet në tërësi me këtë që thuhet në teori dhe në letër. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

@2009-2024 – All Right Reserved. Designed and Developed by Anet.com.mk

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More