– Për librin e Lush Culajt, Ymer Berisha (1912-1946): Një mision i pakryer (botoi “Instituti Albanologjik”, Prishtinë, 2024) –
Nga: Ardian Haxhaj
Për jetën dhe veprimtarinë e profesor Ymer Berishës kanë shkruar autorë të ndryshëm, kryesisht historianë, por me botimin e librit të historianit Lush Culaj Ymer Berisha (1912-1946): Një mision i pakryer, figura e këtij personaliteti është ndriçuar në shumë dimensione, për të cilat deri vonë ka pasur mungesë të informacioneve, apo pamundësi të hapjes së arkivave. I specializuar në historinë e re të shqiptarëve, sidomos të shqiptarëve në trojet etnike jashtë Shqipërisë londineze pas 1912, historiani Culaj ka arritur që përmes zbardhjes së veprimtarisë së Ymer Berishës ta shpërfaq në dimensione kohore dhe hapësinore gjendjen e përgjithshme të shqiptarëve përgjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe konsekuencat pas përfundimit të luftës.
Në librin e historianit Culaj jepen të përmbledhura shumë aspekte historike të ndërvarura me njëra-tjetrën, e që në dukje mund të duken edhe si komplekse. Keqkuptimet e veprimeve të luftës së NDSh-së në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore, Culaj i ka paraqitur ashtu siç kanë rezonuar elitat e atëhershme shqiptare, që të shfrytëzoheshin të gjitha rrethanat gjeopolitike në të mirë të çlirimit të trojeve shqiptare. I vetëdijshëm për rrymimet e ndryshme antagoniste ndërmjet NDSh-së dhe LNÇ-së, Culaj i ka ballafaquar në vërtetësinë e tyre, në tragjikën e tyre, pak a shumë siç e ka treguar epilogu pas shumë dekadave, epilogun me të cilin u ballafaquam edhe gjeneratat tona.
Përpjekja, lufta dhe shuarja me gjak e hekur e lëvizjes më të ndritur të shqiptarëve përgjatë shekullit të njëzetë, Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare, e njohur me akronimin NDSh, për dekada me radhë është kujtuar e përmendur nën zë në kujtesën e bashkëkohësve dhe të pasardhësve të tyre. E kujtoj kohën e fëmijërisë në katundin tim të rajonit të Llapushës, kur nën pëshpërima pleqtë dhe kryesisht të moshuarit e katundit tim e shumë të tjerëve përreth fshatrave të Llapushës që flisnin me pietet, dhimbje, pikëllim, trimëri e krenari për krerët shqiptarë të cilët, sikur Jugosllavia e parë, sikur Jugosllavia e dytë, i kishte luftuar, zhdukur e syrgjynosur në viset e largëta të botës. Nën zë flisnin për fatin e emrave të përveçëm që kishin bërë përpjekje vetëmohuese kundër pushtuesve serbë: Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Ukë Sadiku, mulla Iljaz Broja, frat Bernard Filip Llupi, Shaban Polluzha, Gjon Serreçi, Hamdi Berisha, Ajet Gërguri, Marie Shllaku, Halim Spahia, Hilmi Zariqi, Kolë Tomë Parubi, Aziz Zhilivoda, Zhukë Haxhia, Zef Gjidoda, Demë Ali Pozhari e shumë e shumë emra të tjerë. Në mesin e këtyre emrave e shumë e shumë të tjerëve, për të cilët deri në vitet e nëntëdhjeta historiografia zyrtare i përmendke si armiq, fatkeqësisht këndej e andej kufirit, emri i profesor Ymer Berishës nga Gjurgjeviku i Madh përmendej edhe me admirim për shkak të veprimtarisë shkollore: i shkolluar në Normalen e Elbasanit, pastaj me vazhdim të fakultetit në Italinë e atëhershme, mësues, profesor i Gjimnazit të parë në trojet etnike të mbetur jashtë kufijve politikë të Shqipërisë londineze, Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, ushtarak, poet, strateg e politikan.
Për herë të parë e kemi të plotësuar figurën e profesor Berishës si poet e eseist në revistat shkollore të Normales së Elbasanit, krahas Haki Stërmillit, Sterjo Spasses, Aleksandër Xhuvanit. Ishte koha, kërkesa dhe nevoja kur intelektualit i nevojitej të luante rolin edhe të edhe poetit, edhe të mësuesit, edhe të pedagogut, edhe të shkencëtarit, edhe të politikanit, edhe të luftëtarit, edhe të martirit. Në këtë libër të historianit Culaj argumentohet me dokumente se si Jugosllavia e parë ia kishte internuar nënën Ymerit në burgun e Prizrenit, e që kishte vdekur e mbetur pa varr, ashtu siç e dokumenton vrasjen, varrimin dhe zhvarrimin e trupit të Ymer Berishës nga pushtuesit serbë, për të mos pasur varr, ashtu siç nuk kanë varr shumë martir të tjerë të kombit tonë. Përmes veprimtarisë së Ymer Berishës nënkuptohen shumë procese të tjera historike, kuvende të mbajtura në përpjekje për çlirimin e trojeve shqiptare, siç ishte Kuvendi i Doberdolit, Kuvendi i Lipovicës, Kuvendi i Prizrenit, pastaj betejat, apo siç i kanë quajtur në popull: luftërat, siç ishte Lufta e Qelisë, në të cilën luftuan me vetëmohim një qetë e tërë, prej të cilës vetëm katër luftëtarë dolën gjallë me shumë plagë në trup.
Në librin e historianit Culaj, për herë të parë dalin të dhëna edhe nga CIA amerikane për veprimtarinë e NDSh-së në trojet shqiptare, ku Ymer Berisha përshkruhet si ideatori dhe koka kryesore e saj. Për herë të parë e lexojmë edhe një ditar të mbajtur nga Ymer Berisha përgjatë disa muajve të vitit 1945, ku në formë telegrafike jep shënime për lëvizjet e qetës së tij dhe për reprezaljet e pushtuesve serbë nëpër vendbanimet shqiptare.
Në këtë libër vërtetohet dëshmia se prej të gjitha lëvizjeve politike dhe ushtarake të shqiptarëve përgjatë shekullit të njëzet, NDSh-ja u shua me gjak e hekur e me reprezalje deri në shfarosje pikërisht për shkak të orientimit gjeopolitik dhe gjeostrategjik të kësaj lëvizjeje. Asnjë lëvizje tjetër kombëtare politiko-ushtarake e Evropës Lindore dhe Evropës Juglindore pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në asnjërin vend evropian, duke filluar nga Polonia e deri në Shqipëri, nuk u shkatërrua deri në personin e fundit më shumë sesa që i ka ndodhur NDSh-së. E gjendur në rrethimin e serbëve këndej kufirit dhe pushtetit të ri të ndërtuar nga serbët përmes Partisë Komuniste të Shqipërisë në Shqipërinë londineze, NDSh-ja e pati fatin tragjik ose të eliminimit, ose të syrgjynosjes. Ymer Berisha me shokë u masakruan pamëshirshëm, deri në zhdukjen makabre të kufomave, për të dhënë mesazh të populli shqiptar që të nënshtrohej dhe që jeta dhe vepra e tyre të shuhej e të mos përmendej kurrë.
Por, vrulli i lëvizjeve kundër robërisë vazhdoi edhe gjatë robërisë serbe. Emri i Ymer Berishës e Gjon Serreçit të NDSh-së nuk u harrua. Historiani Lush Culaj ka arritur ta ndriçojë në plotni figurën e një personaliteti të shquar të kombit shqiptar, profesor Ymer Berishës, bashkë me veprimtarët shumtë të NDSh-së. Shfrytëzimi i dokumenteve arkivore nga Arkivi Qendror i Shqipërisë, pastaj nga Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Arkivi i Jugosllavisë në Beograd, mundësojnë një përkufizim të mirë të lëndës të parë në këndvështrime të ndryshme. Po ashtu, shfrytëzimi pothuajse shterues i krejt literaturës dhe botimeve, si libra, periodike, intervista etj., që kanë të bëjnë me kohën, rrethanat dhe veprimtarinë e personaliteteve që e kanë zhvilluar aktivitetin brenda NDSh-së, rezultojnë me qasjen objektive që e dëshirojnë lexuesit ta ketë një libër studimor, pa u varur nga qasja autoriale, në këtë rast qasja ideore e autorit të librit.
Meqenëse titulli i punës e përcakton në fillim strukturën e përmbajtjes, që ka të bëjë me një personazh konkret historik, autorit i është dashur të përdorë qasje historike induktive për ta nënkuptuar deduksionin historik.
Libri Ymer Berisha (1912-1946): Një mision i pakryer i Lush Culajt, paraqet një bazament të mirëqëndrueshëm për studimet e mëtutjeshme të lëvizjes politiko-ushtarake të NDSh-së. Historiani Culaj e ka ngritur meritueshëm një monument historik për Ymer Berishën dhe dishepujt e tij.