Në pandemi, parashikimet janë të paparashikueshme

Shefqet Deliallisi

 

Pandemia zvarritet, vaksinimi përparon ngadalë. Shumë pyetje pa përgjigje. Megjithë përpjekjet e shkencës, një krizë që kaq shpejt ndryshon si Covidi-19, është shkak që ende s’kemi një të vërtetë të përbotshme për pandeminë. Të vërtetat për virusin origjinal që shkaktoi Covid-19, jo domosdoshmërisht janë të vërteta për variantet e reja dhe mutacionet që priten. Gjithçka që mendohet e dihet sot, mund të shembet nëse një nga faktorët është ende i panjohur, i njohur jo plotësisht, apo i njohur gabim.

Lundrimi në ujëra të paeksploruara vazhdon …

Në fillim u tha: njerëzit e vaksinuar infektohen rrallë, akoma më rrallë sëmuren dhe me pak mundim do shkojmë në pragun e imunitetit të tufës. Por, varianti Delta i zhvlerësoi strategjitë, mbasi infekton si të vaksinuarit dhe të pavaksinuarit. Pragu i imunitetit të tufës u rrit nga 65 për qind në 85 për qind. Mësimi që vjen nga Izraeli: vaksinat funksionojnë, por jo aq sa duhet. Nuk duhet të mendojmë se vaksina është fundi i pandemisë, por një mjet që bën të mundur pandeminë të mos jetë më pandemi, por diçka që mund të kontrollohet mirë.

Pandemia është e paparashikueshme se virusi vazhdon të befasojë me zgjuarsinë e tij. Me një taktikë evolucionare të lakmueshme, ai transmetohet maksimalisht, ndërsa i infektuari ndihet me shëndet të mirë; gjen pikat ku transmetimi është më i lartë dhe njerëzit e pambrojtur. Gjithë kohën në evolucion, në përshtatje me mjedisin, virusi vetëndryshon për të shmangur sistemin tonë imunitar.

Virusi dëmton, por deri në një cak. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk shtrohen në spital, fare pak intubohen, akoma më pak vdesin. Virusi përzgjedh mbartësit, por pa i vrarë ata. I duhen për të siguruar ekzistencën e tij.

Nga varianti Delta” te varianti MU, te varianti … Sa më shumë pandemia zgjat, aq më shumë virusi qarkullon; sa më shumë virusi qarkullon, aq më shumë mundësi ka për mutacione. Rasti më i keq: variantet e reja pësojnë mutacione që e bëjnë virusin rezistent ndaj antitrupave të krijuar nga vaksina, apo të fituar pas sëmundjes. Ky do të ishte një fillim nga e para i pandemisë. Shkenca flet për një kërcënim. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Pfizer-it, Albert Bourla, kompania beson se një variant i ri, rezistent, ka të ngjarë të krijojë një problem të madh vitin e ardhshëm. Covid-22 mund të jetë më i keq se Covid-19.

Sipas një raporti të OBSj-së pak ditë më parë, një variant i ri që mund të infektojë më lehtë të vaksinuarit, përmes mutacioneve të proteinë së virusit është shfaqur dhe mund t’i bëjë vaksinat në përdorim të funksionojnë pak ose aspak. Ky variant i quajtur MU është shfaqur tashmë edhe në Greqinë fqinjë.

Si mund të mbrohemi?

Vetëm me një vaksinim sa më i shpejtë që mbulon edhe popullatën më të re. Vaksinimi është një akt përgjegjësie ndaj vetes dhe ndaj komunitetit. Refuzimi i tij është i paarsyeshëm dhe joracional. Nëse ka një detyrim për t’u vaksinuar, është pikërisht aspekti social i tij që për momentin është veçanërisht i rëndësishëm. Mutacionet mund të kthejnë çdo gjë nga e para.

Gati gjysma e popullsisë së botës ende s’ka marrë as dozën e parë të vaksinës, vetëm dy për qind e Afrikës ka marrë vetëm një dozë, ndërsa Izraeli ka vaksinuar 90 për qind të popullsisë. Paradoks. Humnera e pabarazisë globale po thellohet.

Varianti Delta erdhi nga India, vend me shifra tepër të ulëta vaksinimi dhe tepër të larta infeksioni. Prej këndej, shpejt u përhap, gjunjëzoi edhe vende me shifra të larta vaksinimi, si: Izraeli, Britania, Amerika, Kina e botën mbarë…

Mesazhi: vaksinimi ka vlerë nëse aplikohet në mënyrë të barabartë, globalisht. Duhet të mbrojmë gjithë njerëzimin, jo të vazhdojmë secili për vete dhe vendet e varfra të mbeten në dorë të fatit. Mos harrojmë, janë pikërisht këto vendlindje të varianteve të reja dhe të mutacioneve kërcënuese që përhapen globalisht, duke u bërë shkak për zgjatjen pafund të pandemisë. Duhet të tregohemi pragmatistë dhe altruistë. Në pandemi, si në luftë, të gjithë janë të barabartë para vuajtjes dhe vdekjes.

Do shpëtojmë një ditë nga Covidi-19 apo do të duhet të jetojmë me të? Nëse po, për sa kohë? Kur mund të jetë fundi? Si mund të jetë fundi? Do presim pafund fundin? Do na lejojë ekonomia?

Skenarët janë nga ëndrra të bukura në makthe. Historia ka treguar se pandemitë mund të kenë fund mjekësor ose fund social. Sipas modeleve mekanike, fundi mjekësor ndodh kur sëmundjes i mbaron “karburanti”, s’ka mjaftueshëm njerëz për të infektuar. Ndërsa fundi social ndodh kur frika nga sëmundja zbehet, njerëzve i vjen në majë të hundës me kufizimet, deklarojnë pandeminë të mbyllur, i kthehen jetës normale edhe pse “zjarri” vazhdon të “digjet” … sëmundja ende vazhdon, njerëzit mësohen të jetojnë me virusin…

Por, kemi edhe një “fund” që s’është fund, por vetëm një armëpushim i përkohshëm, kur ngadalësohet apo ndalohet transmetimi virusit nëpërmjet një mbyllje drastike. Ky “fund” shërben vetëm për të blerë pak kohë, për t’u mbrojtur. Sapo shoqëria rihapet, lufta rifillon…

Sipas ekspertëve, kjo pandemi mund të ketë një fund social para fundit mjekësor. Historia tregon se për çrrënjosje s’bëhet fjalë. Viruset mund të kufizohen, por jo të zerohen. Eliminim do të thotë zero tolerancë ndaj rasteve të reja, por jo zero raste të reja. Më e mundshmja është të jetojmë me virusin duke e kontrolluar atë. “Në fund të epidemisë ka të ngjarë të arrijmë diku midis kontrollit dhe eliminimit”, parashikon ekspertit amerikan Anthony Fauci, “por më shumë afër kontrollit”. Kjo do të thotë që Covidi-19 të kthehet në një infeksion sezonal si gripi zakonshëm.

Ditët e para pas shpërthimit të pandemisë, në një intervistë për “Bloomberg”, pyetjes se në ç’pikë të epidemisë jemi, Bill Gates iu përgjigj: “Kur historianët të shkruajnë librin e pandemisë Covid-19, ajo çfarë kemi jetuar deri tani do të jetë vetëm një e treta e parë e librit … Përmes inovacionit në diagnostikim, terapisë dhe vaksinimit, bota do të ketë dalë përfundimisht nga gjendja e pandemisë deri në fund të vitit 2021”. Jemi tre muaj larg nga fundit të vitit 2021 dhe fundi pandemisë s’duket gjëkundi.

Historia ka treguar se epidemitë në shekuj kanë ardhur valë-valë, kanë marrë ç’kanë dashur, kanë ikur, për t’u rikthyer dhe riikur. Zakonisht kanë zgjatur.

Lajmet s’duken të mira. Virusi është, do të vazhdojë të jetë. Valë të tjera, lloje të reja do vazhdojë të ketë. Doza të treta, të katërta, ndoshta çdo gjashtë muaj, një herë në vit do vazhdojnë … Vaksina që t’u përshtaten llojeve të reja të virusit po ashtu!

Para pak ditësh, zjarret dogjën gjithandej, pa u ndalur. Për javë e javë, njerëzit u rropatën pa sukses me gjithçka mundën, helikopterë e aeroplanë … Befas, një natë të bukur, Nëna Natyrë dërgoi një shi, zjarri në çast u shua. Sikur të ndodhte kështu edhe me pandeminë. Një ndërprerje e papritur.

Ëndërr e bukur apo…?

Në pandemi, thonë historianët e pandemive, parashikimet janë të paparashikueshme.

Related posts

‘Ata që nuk mendojnë-paragjykojnë’

D V

Fatalizmi si diskurs politik në shtetin shqiptar

D V

Blerim Zllatku: Ideja për ndërtimin “Korridori 8” ekziston plot 20 vjet

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com