Në RMV, punët nuk mund të shkojnë për së mbari sa kohë që ushqimi është më i shtrenjtë se gjithçka tjetër!

nga I.A

Shkup, 12 nëntor – Raportet më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) e konfirmojnë një realitet që qytetarët e ndiejnë çdo ditë në treg në Maqedoninë e Veriut, është bërë më lirë të vishesh sesa të ushqehesh. Megjithëse shifrat zyrtare flasin për një deflacion të lehtë mujor prej 0,2% në tetor, tabloja e përgjithshme ekonomike mbetet shqetësuese veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta, për të cilat shporta ushqimore zë më shumë se një të tretën e të gjitha shpenzimeve mujore, shkruan Zhurnal.

Çfarë nuk po shkon për së mbari në vend? 

Derisa i gjithë fokusi ishte tek zgjedhjet lokale ra interesimi për çështjet reale. Qytetarët përballen çdo ditë me vështirësitë e njëjta, çmimet e larta për çështjet bazike esenciale. Kjo e rëndon jetesën dhe e bënë të papërballueshëm mbulimin e shpenzimeve mujore. Këtë nuk thonë mendimet e lira por të dhënat e vërtetuara nga ESSH. 

Rënia mujore e çmimeve e shkaktuar kryesisht nga transporti (–6,1%) dhe mobilimi i amvisërisë (–0,3%), nuk mund të interpretohet si lehtësim real i kostove të jetesës. Përkundrazi, krahasimi vjetor tregon një tablo krejt tjetër kostoja e jetesës është rritur me 4,5% krahasuar me tetorin e vitit 2024. Kjo tregon se inflacioni, ndonëse i moderuar, ende “gërryen” fuqinë blerëse të qytetarëve dhe i mban çmimet e ushqimeve në nivele të larta.

Në një ekonomi ku veshjet dhe këpucët janë shtrenjtuar me vetëm 2,8%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike me plot 7%, përfundimi është i qartë jetesa është bërë më e vështirë jo për shkak të luksit, por për shkak të nevojave bazike. Bukë, vaj, miell, qumësht, perime e fruta artikujt më të zakonshëm në tryezën e një familjeje mesatare janë bërë barrë e përditshme ekonomike.

Në fakt, shporta minimale sindikale në tetor është rritur me 467 denarë, duke arritur në 65.544 denarë për një familje me katër anëtarë. Prej tyre, mbi 23.700 denarë shkojnë vetëm për ushqim dhe pije gati 36% e të ardhurave mujore. Kjo rritje e 378 denarëve brenda vetëm një muaji dëshmon se presioni inflacionar nuk është çështje statistikash, por realitet i prekshëm në çdo familje punëtore.

Statistikat të qarta që reflektojnë realitetin e rënduar – 

Nga njëra anë, qeveria dhe institucionet ekonomike mund të përmendin me krenari faktin se inflacioni po ngadalësohet dhe se indeksi i çmimeve me pakicë është ulur në 98,7 pikë. Por, nga ana tjetër, realiteti i tregjeve dhe i kuletave të zbrazura tregon një tjetër histori. Sepse kur çmimi i rrobave bie, por ai i ushqimit rritet, efekti social është regresiv më të prekurit janë ata që jetojnë nga paga minimale dhe që nuk mund të zgjedhin ku të kursejnë tek ushqimi apo tek transporti.

Nëse në vitet e fundit inflacioni ishte “importuar” nga krizat globale të energjisë dhe ushqimit, sot ai është bërë kryesisht i brendshëm i lidhur me strukturën e tregut, me varësinë nga importet dhe me mungesën e politikave efektive për mbrojtjen e konsumatorit. Për shumë qytetarë, rritja e çmimeve nuk është më një valë kalimtare, por një gjendje e re e përhershme.

Prandaj, kjo situatë sjell një mesazh të qartë për politikëbërësit stabiliteti ekonomik ka kuptim pa stabilitet social. Statistikat që tregojnë deflacion mujor nuk do të ngushëllojnë një familje që sheh se çdo javë lista e ushqimeve bazike i kushton më shumë. Ndaj, politikat e ardhshme buxhetore dhe sociale duhet të synojnë realisht uljen e peshës së kostove ushqimore përmes subvencioneve të synuara, uljes së TVSH-së për produktet bazike ose përmes mbështetjes më të fortë për prodhimin vendor.

Megjithatë, realiteti i tetorit 2025 është i qartë në Maqedoninë e Veriut është më lirë të blesh një palë këpucë të reja sesa të mbushësh shportën e përditshme ushqimore. Dhe kjo është një shenjë se ekonomia po e humb ekuilibrin e saj më themelor atë mes numrave që duken mirë dhe jetës që bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More