Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar simbolin (çelësin e qytetit) nga kryetari i qytetit të Waterbury Paul K. Pernerewski.
Zyra e kryeministrit në njoftimin e bërë për media thotë se simboli i është dhënë si vlerësim ndaj udhëheqjes dhe përkushtimit të kryeministrit Kurti për nxitjen e miqësisë ndërkombëtare dhe simbol që dyert e qytetit të Waterbury janë gjithmonë të hapura për të, transmeton Telegrafi.
“Kryetari i Qytetit të Waterbury Paul K. Pernerewski Jr. i dhuroi Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti Çelësin e Qytetit”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendësministren, Liza Gashi, dhe Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, Blerim Reka, u mirëpritën dje në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” në Waterbury, Connecticut në një organizim madhështor dhe të përzemërt të bashkatdhetarëve tanë.