Negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të fillojnë pa shtyrje, vendimet e fundit e minojnë kredibilitetin e BE-së

Shkup, 3 korrik  – Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian do ta rrisë jo vetëm stabilitetin rajonal, por edhe stabilitetin e Evropës. SHBA-ja i mbështet vendet anëtare të BE-së që ta mbajnë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë dhe pa shtyrje t’i realizojnë synimet dhe premtimet e tyre, porositi ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së përgjegjës për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker në Forumin e Prespës për Dialogun që gjatë dy ditëve të fundit u mbajt në Ohër.

 

Vendimet fundit të cilat i bllokuan proceset e integrimeve evropiane të vendit, sipas Rikerit, e minojnë kredibilitetin e BE-së në rajon dhe në suaza ndërkombëtare edhe dërgohet sinjal i gabuar se BE-ja po largohet nga rajoni.

“Nuk besoj se kjo është kështu dhe për këtë porosisim se nevojitet fillim pa shtyrje i bisedimeve për anëtarësim edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për Shqipërinë”, theksoi Rikeri.

Nga ana maqedonase në forum është dërguar porosi se hapja e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti më i lartë strategjik dhe se vendi nuk do të heqë dorë nga gjetja e zgjidhjes së përbashkët të pranueshme me Republikën e Bullgarisë e bazuar në vlerat dhe standardet evropiane.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me vullnet të mirë në zbatimin e Marrëveshjes së miqësisë dhe fqinjësisë së mirë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, përfshirë edhe Komisionin për çështje historike, por ka disa çështje për të cilat nuk mund të negociohet. Brukseli duhet të përballet sinqerisht me situatën në të cilën vendoset angazhimi strategjik për zgjerimin e mëtejshëm të Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të jetë në gjendje të shpallë atë zgjidhje deri në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbahet këtë vjeshtë”, theksoi kryeministri Zaev.

Në konferencën e përbashkët për media me Rikerin, kryeministri Zaev edhe një herë përsëriti se gjuha dhe identiteti maqedonas janë jashtë bisedimeve me Bullgarinë.

“Këtë e kanë të qartë edhe ata që janë më pak të njoftuar me këtë problematikë, të gjitha vendet-anëtare të Bashkimit Evropian, i gjithë rajoni dhe e gjithë bota demokratike, e kryesuar nga SHBA-ja”, tha Zaevi.

Nga ana tjetër, dje opozita paralajmëroi se do të parashtrojë rezolutë në Kuvend në të cilën janë definuar dhe mbrojtur pozicionet maqedonase në bisedimet me Bullgarinë.

Nga pushteti porositën se nuk kanë dilema që të bisedojnë për gjithçka me opozitën.

“Ne gjithmonë kemi qen inkluzivë, transparentë në proces dhe kështu do të vazhdojmë. Nuk kemi dilema të bisedojmë për gjithçka me opozitën dhe dëshirojmë të shohim çfarëdo dokumenti ose ngjashëm, por para së gjithash do t’i mbrojmë interesat shtetërore prej të gjitha aspekteve të mundshme, nga aspekti i asaj që edhe deri më tani e bëjmë duke e mbrojtur dinjitetin tonë, identitetin tonë, gjuhën maqedonase dhe veçantinë tonë si popull maqedonas, por gjithashtu duke i mbrojtur pozitat shtetërore për shkak të qëllimit të arritjes së zgjidhjes në të cilën asgjë nuk do t’i mungojë, as nuk do të vihet në çfarëdo bisedash ose negociatash, ajo që për ne është e shenjtë, ndërsa është gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas”, deklaroi dje kryeministri Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen e MIA-s.

Nga Evropa, siç tha, presim t’i mbrojmë identitetet e të gjithëve, përfshirë edhe identitetin tonë.

Kryeministri theksoi se e gjithë ajo që ka të bëjë me gjuhën është formulim, të cilin tashmë e ka dhënë ndërsa ai është se bëhet fjalë për gjuhë të ngjashme por të ndryshme dhe të pranuara ndërkombëtarisht.

Shtetet anëtare të BE-së t’i përmbushin premtimet e tyre, Ballkani Perëndimor mbetet i përqendruar në integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal

Pjesëmarrësit në Forumin e Prespës për Dialog të cilët dy ditë debatuan në Ohër porositën se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe se çështjet bilaterale nuk duhet të jenë në kornizën negociuese. BE-ja duhet t’i përmbushë premtimet e saj.

Ish eurokomisari Johanes Han në panel diskutimin e organizuar në kuadër të forumit tha se mosfillimi i bisedimeve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim drejtë Bashkimit Evropian është mossukses i qartë i Unionit.

Ai shprehu keqardhje për hapin e tillë, duke theksuar se Komisioni Evropian ka sjellë shumë raporte për rezultate të ofruara nga të dyja vendet. Beson në presidencën sllovene, edhe pse, siç tha, gjashtë muaj është kohë e shkurtë, por në politikë ndonjëherë mund edhe të mjaftojë që të arrihet diçka.

Për presidentin slloven Borut Pahor, vendi i të cilit është kryesues aktual me BE-në, shtyrja e fillimit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut nuk është e arsyeshme.

“Ky është gabim politik dhe moral, me këtë minohet autoriteti i BE-së, Pahor, duke paralajmëruar se si vend kryesues me Unionin do të bëjnë çmos për zhbllokimin e proceseve për integrim të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë,

Aktivitetet në atë drejtim do të fillojnë javën e ardhshme, kur së bashku me kryeministrin dhe ministrin slloven të Punëve të Jashtme do të udhëtojnë në Sofje, në përpjekje për të zhbllokuar procesin e eurointegrimit edhe të Maqedonisë së Veriut edhe të Shqipërisë për të filluar negociata për anëtarësim.

Kryeministri i Shqipërisë, vendi i të cilit direkt është i prekur nga vendimi i qershorit të BE-së, theksoi se vendet e rajonit do të vazhdojnë të zbatojnë reforma, të përmbushin kritere, të bëjnë gjithçka që kërkohet nga ata, por, siç tha, fillimi i bisedimeve dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk varen nga ne.

Rama theksoi se rruga evropiane është rruga e vetme, por megjithatë vendimet merren në nivel të Unionit me konsensus, ndërsa ajo që në këtë moment i mbetet rajonit është të punojë në përforcimin e bashkëpunimit mes vete.

Theksoi se në këtë moment ne si rajon mund të bëjmë shumë gjëra, kemi mundësinë për ta përforcuar bashkëpunimin e ndërsjellë, së bashku të nxisim që gjërat në rajon të bëhen më mirë, të punojmë në përmirësimin e ekonomive tona, krijimin e një hapësirë më të madhe ​​për sipërmarrësit tanë, për të rinjtë.

“Sepse të vetëm dhe me shpinë të kthyer jemi të vegjël, por së bashku jemi mjaftueshëm të mëdhenj”, tha Rama.

Homologia e tij serbe, Ana Bërnabiq, deklaroi se ajo që i ndodhi Maqedonisë së Veriut është e rrezikshme, pa precedent.

“Çështja bilaterale e interpretimit të origjinës së çdo gjuhe ose historie nuk është çështje e cila ka të bëjë me BE-në.Ne duhet të vazhdojmë me aktivitetet në lidhje me integrimin evropian, por duhet të përqendrohemi më shumë në bashkëpunimin rajonal, në gjërat që duhet t’I bëjmë së bashku për ta rritur cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve tanë.

Ajo theksoi se përsa i përket integrimit evropian, çfarëdo që të bëjmë, në fund vendimi mbetet i secili vend-anëtar.

“Ky është një proces kompleks dhe po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar, siç e pamë me shembullin e Maqedonisë së Veriut. Nuk ka të bëjë më me vlerat evropiane, me progresin në fushat kryesore, tani futen çështje bilaterale, jo bilaterale në kuptimin e zakonshëm, por çështjet e gjuhës, interpretimit të gjuhësisë, historisë. Këto janë gjëra mbi të cilat nuk mund të ushtroni asnjë ndikim,” theksoi kryeministrja serbe.

Ish kryeministri grek, Aleksis Cipras në kohën e të cilit ishte nënshkruar Marrëveshja e Prespës me të cilin u tejkalua kontesti shumëvjeçar ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, konsideron se Bullgaria duhet të angazhohet që të mos jetë pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes.

“Besoj se duhet gjatë periudhës së ardhshme Bullgaria ta bëjë çdo angazhim që të mos paraqesë pjesë të problemit, por pjesë të zgjidhjes. Do të duhet ta bëjë çdo angazhim, kështu që do të gjendet dalje dhe të mos insistojë për alternativë pa dalje – veto. Familja evropiane vazhdon përpara me pëlqim dhe jo përmes mohimeve dhe vetos. Besoj se BE-ja në tersi duhet ta inkurajojë Bullgarinë ta ndjekë rrugën e drejtë”, theksoi Ciprasi në intervistë për televizionin 24.

Për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, rruga evropiane është rruga e vetme, por integrimet evropiane nuk guxojnë të na lidhin me çështjet bilaterale. Paralajmëruan se do të punojnë në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve, por, siç theksuan, fillimi i bisedimeve nuk varet nga ata, por nga Bashkimi Evropian.

Related posts

Fuere: “BE e tradhtoi Maqedoninë e Veriut”

D V

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shkup: Nuk bëmë mjaftueshëm për të luftuar ndotjen e ambientit

N E

Rama: Pse të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz nga njëri-tjetri?!

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More