Nëntori muaji i shqiptarëve, e për këtë fillojnë përgatitjen nga tani!

nga I.A

Shkup, 27 shtator – Festat e nëntorit kanë kuptim të veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Festa merr kuptim dhe shijohet më mirë për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Ndryshe, edhe përkundër faktit që 28 Nëntori nuk është festë zyrtare në vend vazhdon të festohet e të shënohet nga gjithë shqiptarët në gjitha format që kanë mundësi, duke filluar nga shkollat, OJQ-të, studentë e politikanë gjithandej, Këta të fundit e kanë edhe për obligim të shtyjnë procesin e zyrtarizmit të kësaj dite si ditë jo pune për shqiptarët. E shumë biznese në sektorin privat këtë ditë vetvetiu e shpallin si ditë jo pune për punëtorët shqiptarë, shkruan Zhurnal.

Përgatitje për festat e nëntorit –

Zëvendëskryeministri për politika të mira dhe transparencë, Arben Fetai, ka zhvilluar takim koordinativ në prag të festave të Nëntorit me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Vetiut, Denion Meidani dhe Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Vetiut, Florian Qehaja.

“Në prag të festave të Nëntorit, koordinim shqip”, ka shkruar Fetai në rrjetin e tij social facebook.

 Nga ky postim dhe ky takim lë të kuptohet që përgatitjet për festat e nëntorit kanë filluar që tani. Dhe, mbetet të shihet nëse do t’i rezultojnë përgatitjet me sukës dhe festat e nëntorit të festohen ashtu siç i ka hije dhe ashtu siç duhet. Sepse, deri tani festat e nëntorit në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të partizuara dhe pjesëmarrësit në festa kanë qenë njerëz me libreza partiake.

Shqiptarët diskriminohen edhe në ditë festash-

Përderisa, 8 prilli është përcaktuar si ditë ndërkombëtare e romëve dhe si e tillë festohet në RMV, 23 maji dita nacionale e vllehëve, e 28 shtatori si dita ndërkombëtare e boshnjakëve, 28 Nëntori është ditë e zakonshme pune për të gjithë qytetarët e RMV-së, pa çka se është dita e pavarësisë së Shqipërisë dhe se në Maqedoninë e Veriut populli shqiptarë është popull shtetformues kjo nuk e ndryshon aspak këtë qasje.

Shqiptarët siduket në Maqedoninë e Veriut janë mësuar e adaptuar me diskriminim në gjitha nivelet dhe rastet, dhe kjo ka ndikuar mos jetë pengesë që edhe dita që shënon çlirimin e pavarësimin e shtetit Shqiptar të mos jetë festë mbarë kombëtare. Sektori privat është ai i vetmi që ua mundëson shqiptarëve të kenë e shijojnë si ditë feste këtë ditë të shenjtë dhe me peshë të madhe.

Përse shqiptarët nuk kërkojnë që 28 Nëntori të jetë ditë feste në Maqedoninë e Veriut?

Nuk ka shqiptarë që me të vërtetë është shqiptarë dhe jeton si i tillë që festën e 28 Nëntorit nuk do të kishte dashur ta ketë festë shtetërore dhe ditë pushimi që të ndjejë e festojë sipas traditës. Por, në RMV situata është ndryshe që të zgjedhurit e popullit jo çdoherë zgjedhin atë që ka nevojë dhe e dëshiron populli, kjo pasi për pasojë bie ndesh me palën tjetër. Politikanët shqiptarë përgjatë periudhës sa janë në pushtet asnjëherë nuk e ngrisin si çështje faktin që edhe në ditë festash diskriminohen shqiptarët.

Ministria e Punës dhe politikës sociale, ka vendosur që për shqiptarët të jetë vetëm një ditë feste ajo e 22 Nëntorit që ndryshe është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kjo krijon dilema pse pikërisht këtë ditë dhe pse jo edhe 28 Nëntori?. Mbase, mund të jetë fakti që edhe pse e përcaktojnë Ditën e Alfabetit si ditë feste ata e dinë dhe janë të kënaqur që statusi i gjuhës shqipe po vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme, me fjalë të tjera të festojnë shqiptarët për mjerimin në të cilin e kanë gjuhën e tyre.

Defaktorizimi i spektrit politik shqiptarë krijon hapësirë për diskriminime të natyrave të ndryshme-

Populli shqiptarë në Maqedoninë e Veriut “përfaqësohet” nga 10 parti politike, numër shumë i madh që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në përçarjen e votës shqiptare dhe defaktorizimin që pastaj si rrjedhojë sjellë mungesën e të drejtave elementare, kur flasim për zbatimin e gjuhës shqipe, si dhe festimin e festave mbarë kombëtare.

Shqiptarët në këtë vend janë diskriminuar përgjatë viteve në mënyra të ndryshme, duke penguar arsimin shqip, valëvitjen e flamurit shqiptarë, përdorimin e gjuhës shqipe, punësimin e shqiptarëve nëpër institucionet e shtetit, e gjithkund tjetër pra kudo që ka qenë e mundur janë diskriminuar dhe përjashtuar në mënyrat më barbare.

Ajo që është më shqetësuese se diskriminimi që i është bërë shqiptarëve përgjatë viteve nga pala maqedonase, është heshtja e autoriteteve të Shqipërisë, që me dy këmbë kanë shkelë edhe nenin 8 të Kushtetutës, sipas të cilët nen Shqipëria është e obliguar të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve fizik të Shqipërisë.

Ndryshe, festën e 22 Nëntorit shqiptarët e festojnë duke kujtuar që gjuha e tyre është e “përdhosur” dhe “sakatuar”, që ligjërisht figuron si gjuha e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq praktikisht është gjuha e cila në Kushtetutë definohet me përqindje, në përdorim është e anashkaluar.

Megjithatë, për dallim prej festës së 22 Nëntorit, shqiptarët në këtë vend festën e 28 Nëntorit apo ndryshe Ditën e Flamurit mund ta festojnë vetëm pasi të përfundojnë orarin e punës aty ku janë të angazhuar, pasi nuk ka ditë pushimi në këtë ditë feste. Pra, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dita e pavarësisë së Shqipërisë është ditë e zakonshme pune, sikurse ditët tjera, e kjo krejt fal defaktorizimit të politikbërësve shqiptarë si dhe mos interesimit të Shqipërisë./Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More