Getting your Trinity Audio player ready...
|
Marty Jo Zambotto, i njohur me emrin artistik Go-Jo, është një këngëtar, kompozitor dhe producent muzikor me origjinë franceze dhe australiane, i cili këtë vit përfaqësoi Australinë në Eurovision me këngën “Milkshake Man”.
Ai do të ngjitet në skenë sonte, në gjysmëfinalen e dytë, dhe sipas parashikimeve të agjentëve të basteve, ka shumë gjasa të sigurojë një vend në finalen e madhe.

Pse merr pjesë Australia në Eurovision?
Edhe pse gjeografikisht jashtë Evropës, Australia është pjesë e Eurovisionit prej disa vitesh. Kjo, sepse konkursi është jashtëzakonisht i ndjekur dhe popullor në Australi, ndoshta më shumë se në shumë shtete evropiane.
Për shkak të këtij popullariteti, organizatorët e festivalit vendosën që Australia të ftohej si pjesëmarrëse.

Në vitin 2014, ajo u ftua për të performuar si pjesë e programit argëtues, ndërsa në vitin 2015 mori për herë të parë pjesë në garë si konkurrente zyrtare.
Megjithëse fillimisht ishte planifikuar të merrte pjesë vetëm në vitin 2015 — dhe vitin pasardhës vetëm nëse do të fitonte — vendi ka vazhduar të jetë pjesë e pandërprerë e garës. Në vitin 2016, Australia arriti një tjetër sukses të madh duke përfunduar e dyta, falë këngës “Sound of Silence” të interpretuar nga Dami Im.
Australia dhe rregullat e veçanta
Australia nuk ka të njëjtin status si vendet e ashtuquajtura “Pesëshja e Madhe” – Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar – të cilat kualifikohen automatikisht për në finale. Si të gjitha vendet e tjera, ajo duhet të kalojë nëpërmjet fazave gjysmëfinale.
Për shkak të distancës së madhe dhe diferencave të mëdha kohore, organizimi i një festivali të tillë global në Australi do të ishte logjistikisht i pamundur.