NËSE TRUPI IM PO VDES, MË THUAJ SE MË DO

nga D. V.

Poezi nga: Jacqueline Jiang
Përktheu: Fadil Bajraj

Më thuaj se venat nën lëkurën time
janë të sigurta brenda arkivolit tënd.
Caoba dhe negra lora janë pemët e mia të preferuara,
ama ti mund të më varrosësh nën një flamboyán.
Unë ende do të digjem brenda, e pamundur për t’u shuar.

Më thuaj se do të ndash historitë e mia
me të vegjlit që ndukin lule,
e që vrapojnë t’ua japin nënave, gjysheve;
atyre që mbajnë kalimin stërgjyshor.

Ata ende më mbajnë mend.
Emri im do të dalë nga gjuha e tyre
sall për t’u zvarritur në gojën e atyre që nuk mund
të shqiptojnë emrat e gdhendur në kryqin tim.

Më thuaj që të isha këtu, me ty, nënkuptonte diçka,
kur the se më doje, e ke pasur përnjëmend.
Në një jetë tjetër, ti nuk m’i shkule as qimet nga krahët.
Në vend të kësaj, ti more dheun dhe m’i mbajte qerpikët për të ujitur.
Hëna më ushqeu, bëmë dashuri dhe
Unë të bekova përpara se të krijonim shtëpinë tonë.

Më thuaj që ata që i kam brenda vetes janë të sigurt, barqet plot,
muret e çimentos janë mjaft të qëndrueshme për t’i mbuluar ata.

Mos më trego për ekskavatorët dhe buldozerët që po presin,
si shkaba, për të më shkatërruar.
Mos më trego as për kontratat që ke bërë,
se si njerëzit po presin të ndërtojnë shtëpitë e tyre mbi eshtrat e mi.
Tregomë për dashurinë që kishe për trupin tim,
si më premtove se do të më mbështesje.

Nuk mund ta imagjinoj një botë ku nuk jam këtu, me ty.
Si do të dukem unë pasi të kesh dështuar?
Lufto me mua këtu, dashuria ime, sa jam ende gjallë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More