Nesër më (16 janar) me fillim nga ora 19:00, në Qendrën e Kulturës “Iljo Anteski-Smok” në Tetovë do të hapet ekspozita personale e piktores nga Kosova Liridona Gjuka Bogu, me titull “Tingujt Vizual” me kurator Hajrush Fazliu.
Kjo ekspozitë ofron një kombinim unik të artit vizual dhe ndjesive të tingujve te elementeve figurative për të krijuar një përvojë të veçantë artistike.
“Kjo ekspozitë bashkon perceptimin vizual dhe tingujt e fshehur të pikturës. Jo vetëm që ngacmon imagjinatën e shikuesit, por veprat e saj të nxisin përtej perceptimeve të zakonshme. Përmbyllja e vitit 2024 dhe fillimi i vitit 2025, është me 3 ekspozita personale në Maqedoni. Njëra në Galerinë Nacionale “Qifte Hamam” në Shkup, tjetra në Qendrën e Kulturës në Tetovë, dhe e treta në Institutin Nacional në Galerinë e Arteve në Tetovë”, tha Gjuka.
Ndërkaq më (17 janar) në Galerinë e Arteve në Tetovë, do të hapet ekspozita e dytë e artistes Liridona Gjuka Bogu me titull “Vetëm tani”, ku artistja do të prezantojë 25 piktura të cilat janë të realizuara në teknikën e akrilikut.
Ekspozita është përkrahur nga Ministria e Kulturës së Kosovës, kuratori Hajrush Fazliu ndërsa në menaxhim dhe udhëheqje artistike nga Jasmina Krstovska.