Nesër zgjedhet kryepeshkopi i Shqipërisë

nga Xh M

Të dielën, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të ketë kryepeshkopin e ri, raporton TopChannel. Sinodi i Shenjtë i Kishës ka lajmëruar se zgjedhja do të bëhet të Dielën e Dytë të Kreshmës, në Qendrën Sinodike, pas Liturgjisë Hyjnore.

Është lajmëruar që procesi do të nisë që në mëngjes me meshën e së dielës, ku do të jenë qytetarë, por edhe drejtues të gjithë mitropolive ortodokse të Shqipërisë dhe, sigurisht, të ftuar.

Ata do të ndjekin meshën e Liturgjisë Hyjnore. Ndërsa anëtarët e Sinodit janë të gjithë në meshë, ku do të betohen në tryezën e shenjtë për përgjegjësinë që kanë për të votuar më të denjin dhe më të përgjegjshmin mes tyre.

Pas meshës fillon procesi i zgjedhjes nga ana e Sinodit dhe, pasi mbaron votimi, shpallet emri i Kryepeshkopit të ri.

Ai do të pritet me ceremoni të veçantë dhe do të hyjë në Kishën Katedrale në Tiranë, ndërsa kambanat e saj dhe kambanat e të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri do të bien në nder të këtij procesi.

Më pas, ceremonia parashikon që Kryepeshkopi i ri të mbajë edhe mesazhin e tij para besimtarëve. Kryepeshkopi i ri zgjidhet kështu për të pasuar në detyrën më të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopin Anastas, i cili ndërroi jetë.

Anastasi u emërua Kryepeshkop i Shqipërisë nga Patriarkana e Stambollit menjëherë sapo komunizmi u rrëzua, dhe detyra e tij ishte ringritja e një kishe të shkatërruar nga ateizmi.

Pas vdekjes së Anastasit, u lexua edhe testamenti dhe një nga dëshirat e tij ishte zgjedhja në krye të Kishës të një kleriku shqiptar.

Pjesa dërmuese e klerikëve janë shqiptarë. Në Mitropolinë e Korçës, Hirësia e tij Joani; në Mitropolinë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësia e tij Asti; në Mitropolinë e Apollonisë dhe Fierit, Hirësia e tij Nikolla; në Mitropolinë e Elbasanit, Hirësia e tij; në Mitropolinë e Krujës, Hirësia e tij Anastasi.

Këta janë shtetas shqiptarë dhe, bashkë me klerikët e Amantias dhe Gjirokastrës, që janë shtetas grekë, përbëjnë Sinodin që do të votojë për të zgjedhur një prej tyre në krye të Kishës.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More