Agjencia Zhurnal.mk
Opinion

Nevoja për një Kushtetutë të re

DR. ANTON GERA

kushtetuta-ANTON GERA

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ligji themelor i shtetit shqiptar, miratuar nga Kuvendi popullor me datë 21 tetor të vitit 1998 dhe aprovuar nga populli me referendumin e datës 22 nëntor 1998, është arnuar aq shumë saqë mendoj se nuk mund të mbajë arnime të tjera. Duke u nisur nga numri i madhi ndryshimeve apo rishikimeve, mendoj se palët politike e kanë konsideruar këtë akt themelor si një ligj të thjeshtë, duke anashkaluar faktin se është një ligj më i rëndësishëm se ligjet e zakonshme, në të cilin gërshetohen parimet themelore që drejtojnë shtetin tonë me mekanizmat për kompromis dhe qeverisje të efektshme.

Pra, ligjet duhet të miratohen, rishikohen apo ndryshohen duke pasur parasysh përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe jo të ndodhë e kundërta, ku ndryshohet Kushtetuta në funksion të ligjeve. Duke u nisur nga fakti se Kushtetuta është tërësia e normave themelore që rregullon organizimin e kompetencave të organeve shtetërore, përmbajtjen e veprimeve të tij, si dhe format dhe kufijtë e marrëdhënieve me politikën dhe shoqërinë, mendoj se Republikës së Shqipërisë i nevojitet një Kushtetutë e re.

Miratimi i një Kushtetute të re nuk mund të bëhet me të njëjtën shpejtësi që miratohen ligjet e zakonshme, por me anë të një procesi të gjatë, gjithëpërfshirës dhe transparent. Për të hartuar një Kushtetutë të re nuk është i mjaftueshëm vetëm konsensusi i partive të ndryshme politike, i cili për hir të së vërtetës ka munguar në hartimin dhe miratimin e Kushtetutës në fuqi, por mbi të gjitha, duhet një pjesëmarrje sa më e gjerë e shoqërisë shqiptare, sepse në fund të fundit, Kushtetuta bëhet për ata. Shkalla e pjesëmarrjes në këtë proces, transparenca dhe njerëzit e zgjedhur në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme për hartimin e kësaj Kushtetute kurorëzojnë legjitimitetin e saj. Nënvizova tri aspektet e sipërpërmendura, shpeshherë marrëveshjet politike për të ndryshuar ligjin themelor janë bërë për të zgjidhur një pseudongërç politik pa pjesëmarrje të shoqërisë dhe pa transparencë të plotë.

Fillimisht duhet theksuar se kjo Kushtetutë e re është shumë e nevojshme për t’i dhënë fund njëherë e mirë periudhës së tranzicionit. Kushtetuta qysh në nenin e parë të saj parashikon modelin (formën) e qeverisjes. Në këtë dispozitë kushtetuese është vendosur që Shqipëria është Republikë Parlamentare, ndërsa në paragrafin e tretë të së njëjtës dispozitë kushtetuese parashikohet se ky model qeverisjeje bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta etj. Pra, siç shihet, në një qeverisje parlamentare, institucioni kryesor është Parlamenti, prej të cilit rrjedhin institucionet e tjera kushtetuese. Mendoj se ka ardhur koha që Parlamentit t’i rikthehet roli i tij që është ridimensionuar shumë me reformën kushtetuese të vitit 2008 dhe të përcaktohet qartë ndërveprimi dhe balancimi i institucioneve kushtetuese për të evituar spektaklin e hidhur të ofruar gjatë viteve të fundit në lidhje me mosmarrëveshjet e kompetencave. Shqipërisë i duhet një Kushtetutë e re, në të cilën demokracia parlamentare duhet të zëvendësojë oligarkinë e kryetarëve të partive politike, të cilët kanë dominuar një pjesë të madhe të institucioneve kushtetuese. Sistemi elektoral i mbyllur ka shumë kohë që e ka kthyer Parlamentin në një ratifikues të projektligjeve të propozuara nga Këshilli i Ministrave në disfavor të një funksioni tjetër shumë të rëndësishëm, në një vend me demokraci hibride siç është Shqipëria, që është funksioni kontrollues ndaj pushtetit ekzekutiv. Duhet nënvizuar se kontrolli parlamentar nuk është më pak i rëndësishëm se sa funksioni ligjvënës i Parlamentit, i cili ka për qëllim të zbulojë sjelljet arbitrare dhe antiligjore të qeverisë dhe organeve të tjera publike që ndikojnë drejtpërdrejt në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Një ndër synimet kryesore të kontrollit parlamentar është llogaridhënia e qeverisë në administrimin efikas të fondeve publike dhe ndalimin e abuzimeve financiare nga administrata publike.

Ligji themelor në fuqi parashikon se populli merr pjesë në qeverisjen e vendit nëpërmjet dy mënyrave: në mënyrë indirekte, pra nëpërmjet Parlamentit që përbëhet nga përfaqësuesit e popullit, dhe në mënyrë të drejtpërdrejte, që është referendumi. Referendumi si instrument i demokracisë së drejtpërdrejtë që i lejon popullit të shprehet pa asnjë ndërmjetës për një çështje të caktuar. Pra, është e nevojshme një Kushtetute e re për të sanksionuar mundësinë dhe lehtësinë e referendumeve për reformat madhore që prekin një pjesë të madhe të shoqërisë, sepse shpeshherë vullneti politik mund të devijojë nga vullneti apo interesi i përgjithshëm i shoqërise. Fakti që në Shqipëri në këto 30 vite janë mbajtur vetëm tri referendume tregon shumë mbi gjendjen e demokracisë në vendin tonë.

Duke parë se Presidenti i Republikës në republikat parlamentare është Kryetari i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit është e nevojshme që të përcaktohen qartë kompetencat e tij dhe roli i garantit dhe mediatorit të institucioneve. Nuk jam aspak dakord me një pjesë të teoricienëve që mendojnë se ndryshimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me ndryshimet kushtetuese të ndodhura në vitin 2008 e ka dobësuar rolin e tij.

Një ndër problemet më të mprehta që ka kaluar dhe po kalon Shqipëria në këto vite tranzicioni është abuzimi me financat publike. Duhet theksuar se gati gjithmonë raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit të hartuara ndër vite kanë nxjerrë në pah probleme dhe dëme të mëdha qe i janë shkaktuar vendit nga abuzimet me tendera të bëra nga institucionet publike, nga keqadministrimi i pronave publike, nga abuzimi i sipërmarrjeve ku shteti ka më shumë se 50% të aksioneve etj. Për këto arsye, mendoj se Kushtetuta e re duhet të krijojë një gjykatë llogarish dhe një trupë prokurorësh (të specializuar në këtë fushë) të cilët duhet të kontrollojnë, hetojnë dhe gjykojnë korrupsionin që kryhet në menaxhimin e financave publike.

Shqipëria mund të ketë njëqind e një arsye për të hartuar dhe miratuar një Kushtetutë të re, por ajo çfarë është më e domosdoshme dhe urgjente konsiston te zbatimi apo respektimi i saj apo akteve normative në përgjithësi. Duhet theksuar se nuk është i mjaftueshëm hartimi i një Kushtetute te re apo një ligji te ri nëse mungon fryma, vullneti dhe mendësia për ta zbatuar atë. Është akoma më tragjike dhe trishtuese kur vetë organet e pushtetit shtetëror i miratojnë dhe nuk i zbatojnë ato, duke devijuar kështu nga parimi i shtetit të së drejtës, i cili presupozon që veprimet e organeve shtetërore duhet të jenë në përputhje me aktet ligjore ne fuqi.

  • Pedagog i së drejtës kushtetuese në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Postime të ngjashme

Koce Trajanovski dhe VMRO-DPMNE janë fatkeqësia elementare për Shkupin dhe shkupjanët

Z H

Rruga përpara për marrëdhënien SHBA-Shqipëri

D V

Zaevi eshte treguar “vizionar” i nenshtrimit

D V

Një pyetje publike:Pse nuk po u ndahen shqiptarëve padrejtësitë dhe vuajtjet?!

D V

‘Ballkani i Hapur’, nismë e dështuar që nga përpara ?!

R Zh

Vjen kërkesa publike për kryeministrin Kurti

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...