Nevojitet strategji për menaxhimin e fondeve të huaja!

nga I.A

Shkup, 26 gusht – Fondet e huaja janë oksigjen për vendet e vogla të rajonit përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, prandaj nevojitet një strategji e mirëfilltë që sa më mirë të shfrytëzohen për punë produktive të dobishme për të gjithë qytetarët e vendit. Një pjesë e madhe e parave të BE-së që janë në dispozicion nuk shfrytëzohen sa duhet dhe për këtë arsye dështojnë shumë projekte. Shfrytëzimi i fondeve evropiane nga institucionet e Maqedonisë së Veriut e në veçanti nga komunat për momentin është rreth 30 për qind. Ajo që është më e qartë është mungesa e kapacitetit të tillë njerëzor, ndërsa resurset e tilla në mënyrë të konsiderueshme e rrisin rrezikun e implementimit. Ka raste të komunave ku kanë filluar projekte dhe që janë ndalur për shkak të mungesës së kapacitetit për shkak të zbatimit të duhur, ndërsa ka komuna që i kanë ndërprerë edhe projektet e tyre, shkruan Zhurnal.

Duhet strategji e veçantë për shfrytëzimin e IPA fondeve –

Ministri për Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani sot mbajti konferencë tematike për shtyp, duke iu referuar qëllimeve të përcaktuara sipas të cilave Ministria për Çështje Evropiane do të veprojë gjatë mandatit të tij. Ai iu referua disa çështjeve të rëndësishme, siç janë përdorimi i fondeve të BE-së përmes IPA fondeve, “respektivisht, sfidat me të cilat ballafaqohemi, rreziqet ndaj të cilave jemi të ekspozuar dhe masat që po marrim për të përmirësuar aftësinë tonë për të përdorur këto resurse kryesore financiare”.

Murtezani theksoi se shkalla e absorbimit të fondeve evropiane është e pamjaftueshme, me vetëm 34% të fondeve në dispozicion të mbuluara nga kontratat e nënshkruara dhe vetëm 22% të fondeve të paguara. Kjo pasqyron problem më të gjerë të jo-efikasitetit i cili rezultoi me humbje të konsiderueshme të mjeteve.

“Në dy vitet e kaluara, krahas zbatimit të ngadaltë të IPA-s, Maqedonia e Veriut u ballafaqua me fonde të pashfrytëzuara të IPA-s, të cilave u skadoi afati dhe u kthyen në buxhetin e Bashkimit Evropian. Kështu që, në fund të vitit 2022 dhe 2023 humbëm 24 milionë euro, respektivisht 55 milionë euro në dy vitet përkatëse, respektivisht gjithsej 79 milionë euro. Vlerësohet se deri në fund të vitit 2024 ekziston rreziku i humbjes së 43 milionë eurove shtesë nga IPA II”, nënvizoi ministri.

Murtezani i prezantoi edhe masat strategjike për menaxhim me këto sfida, mes të cilave janë përforcimi i IPA kapaciteteve përmes punësimeve të reja dhe politika për mbajtjen e stafit të IPA strukturës: “Variacioni i lartë i profesionistëve të trajnuar të IPA-s, shpesh tërhiqen nga sektori privat,  krijon shqetësim. Qëllimi ynë është të krijojmë kornizë të qartë për zhvillimin e karrierës dhe mbajtjen e stafit brenda IPA strukturës”, theksoi Murtezani.

A shtoi se efikasiteti dhe efektiviteti i përdorimit të fondeve evropiane nuk është vetëm çështje administrative, por i një rëndësie thelbësore për zhvillimin tonë nacional dhe rrugën drejt anëtarësimit në BE. Jemi të detyruar të ballafaqohemi me këto sfida në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të përmbushim detyrimet tona ndaj qytetarëve tanë.

Ministri njoftoi edhe për vizitë nëpër institucione që punojnë me projekte të financuara nga IPA, se si në mënyrë të ndërsjellë mund të vendoset bashkëpunim të ngushtë në identifikimin dhe tejkalimin e sfidave nën dritën e fondeve evropiane për projekte kapitale me rëndësi vitale për qytetarët.

Ai tha se sot në seancën e Qeverisë do të prezantoj raportin gjithëpërfshirës të përdorimit të IPA fondeve. Ky raport do të demonstrojë planin tonë operativ për përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve dhe për tu siguruar se plotësisht i shfrytëzojmë mundësitë që na ofrojnë fondet evropiane. Do t’i propozoj Qeverisë të rishikohen planet për punësim në IPA strukturën, të cilat kjo strukturë i përpunon në përputhje me rregullat dhe praktikat e mira evropiane dhe do të propozojmë prioritizimin e punësimit në ministritë përkatëse siç janë: Ministria e Financave, Ministria e Transportit , Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe ndërmarrjet publike të cilët do ti realizojnë projektet infrastrukturore.

Në mënyrë shtesë, tha ai do të kërkojmë përvoja krahasuese nga vende të caktuara anëtare të BE-së dhe vendet kandidate për në BE nga rajoni, që të mësojmë nga suksesi i tyre në menaxhimin dhe zbatimin e mjeteve të BE-së, respektivisht ti zbatojmë praktikat e mira në këtë proces kompleks.

Si përfundim, analiza financiare e shfrytëzimit të IPA fondeve gjatë viteve është jashtëzakonisht dekurajuese. Derisa përdorim mjete nga kredi të ndryshme, kemi dhjetëra milionë euro të pashfrytëzuara për investime kapitale nga fondet e BE-së. Është koha që nga angazhimet deklarative për integrim në BE të kalojmë në veprime konkrete. Efikasiteti dhe efektiviteti i përdorimit të fondeve evropiane nuk është vetëm çështje administrative, por i një rëndësie thelbësore për zhvillimin tonë nacional dhe rrugën drejt anëtarësimit në BE. Jemi të detyruar të ballafaqohemi me këto sfida në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të përmbushim detyrimet tona ndaj qytetarëve tanë.

Komunat s’kanë punëtorë të kualifikuar për IPA fonde

Mos zbatimi i reformës së Administratës Publike, struktura e çakorduar e nivelit lokal, mungesa e personave që merren me zbatimin e obligimeve për integrim në Bashkimin Evropian, janë vetëm disa nga arsyet pse nuk kemi shfrytëzim të mjaftueshëm të Fondeve IPA. Disa komuna kanë persona që janë të dedikuar për fondet e BE-së, disa komuna tjera nuk kanë mjaftueshëm buxhet për të paguar as rroga për sektorin e financave. Në të gjitha komunat ka një strukturë të çakorduar, e sidomos dallojnë shumë komunat urbane dhe ato rurale.

Reforma e administratës publike është një kriter i rëndësishëm drejt Bashkimit Evropian dhe akoma komunat nuk kanë mundur të ndërmarrin ndonjë hap për shkak të ndërlidhjes së kësaj reforme në nivelin nacional. Reformat duhet të jenë relevante dhe të mirëfillta. Planifikimi dhe zbatimi i reformave të qeverisjes lokale nuk përfundon me vendosjen e disa aktiviteteve themelore. Ato duhet të shoqërohen me planifikime të hollësishme dhe pasje të kuadrit profesionist. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More