“Nga lufta vijmë, në luftë shkojmë”, Rama paralajmëron krizë energjetike dhe rritje të çmimit brenda 6 muajve të parë të 2022

“Nga lufta vijmë, në luftë shkojmë”. Me këto fjalë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka paralajmëruar një tjetër krizë të jashtëzakonshme, atë të energjisë elektrike, krahas pandemisë dhe tërmetit që kaluam.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve kreu i qeverisë shqiptare për rritje të mundshme të energjisë elektrike nisur edhe nga rritja e saj në vendet fqinje, rajon dhe botë. Ai garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbrojtur shtresat në nevojë, konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.

“Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë. Kjo është kriza e jashtëzakonshme energjetike, e cila vetëm sapo ka nisur, të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia. Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje”.

Sipas tij rritja e kërkesës konsumatore, pas hapjes së ekonomisë, ka rritur eksponencialisht edhe kërkesën e industrive prodhuese për energji, duke vënë në vështirësi shumë serioze edhe vetë kolosët ekonomikë të planetit. Rama tha se për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar.

“Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si edhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh të prodhimeve të konsumit të përditshëm, qëndrojnë sot para të gjitha vendeve, si siluetat e një ushtrie armike në horizontin e dimrit të vështirë që bota ka përpara. Rritja eksponenciale e kërkesës konsumatore, pas hapjes së ekonomisë si rezultat i vënies nën kontroll të pandemisë, ka rritur eksponencialisht edhe kërkesën e industrive prodhuese për energji, duke vënë në vështirësira shumë serioze edhe vetë kolosët ekonomikë të planetit; që nga Kina, ku mungesa e kapaciteteve energjetike të nevojshme për përballimin e kësaj kërkese, kërcënon afro gjysmën e kapaciteteve industriale të atij vendi, deri në Europë, ku kërkesa e lartë dhe oferta e pamjaftueshme për gaz, ka detyruar qeveritë të përballen me rritje marramendëse çmimesh e të paralajmërojnë, deri edhe politika kufizimesh në furnizimin me energji elektrike. Ritmet e larta të rimëkëmbjes nga pandemia dhe nevoja e tejrritur për energji, e kanë rritur çmimin e gazit me rreth 250%, atë  të karbonit me rreth 80%, ndërkohë që çmimi i naftës ka kërcyer lart, nga rreth 60$ për fuçi në Gusht të 2021, tek rreth 80$ në momentin që flasim dhe sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë në $100 për fuçi deri në fund të vitit. Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar”.

Sipas tij kjo krizë lidhet kryesisht me ndryshimet klimatike dhe përpjekjet për t’i frenuar ato, si edhe me një kombinim faktorësh të tjerë.

“Një seri eventesh të motit ekstrem, me tipare të pazakonta sezonale, kanë impaktuar si kërkesën, ashtu edhe ofertën për gaz. Dimri jashtëzakonisht i ftohtë i fillim-vitit në hemisferën veriore, Azi, apo edhe ngricat e jashtëzakonshme në SHBA, ndikuan në reduktimin drastik të eksporteve të gazit të lëngshëm gjatë muajit shkurt. Pranvera e ftohtë  dhe përmbytjet në Europë, automatikisht rritën kërkesën për gaz për ngrohje. Po njësoj valët e të nxehtit ekstrem gjatë verës në Kinë, Europë dhe SHBA, rritën kërkesën për gazin për ftohje.  Prodhimi i energjisë nga burimet alternative është zvogëluar. Impiantet e prodhimit të energjisë së erës në Europë kanë prodhuar shumë më pak energji se nivelet mesatare.  Rrjedhimisht, mungesa e prodhimit të energjisë alternative, ka ndikuar në rritjen e kërkesës dhe çmimeve të gazit dhe të qymyrit.  Në Gjermani, mbyllja e tre reaktorëve të tjerë bërthamorë, si pjesë e programit të stopimit të prodhimit të energjisë nukleare, ka reflektuar në rritje të kërkesës për energji edhe nga burimet natyrore të parinovueshme”.

Rama theksoi se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë, në Europë dhe në Azi, ka rritur kërkesën për energji nga konsumatorët familjarë, fabrikat dhe sipërmarrjet në përgjithësi, duke justifikuar në këtë mënyrë edhe rritjen e çmimit të energjisë që pritet të ndodhë brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm.

“Pavarësisht rritjes së kërkesës dhe çmimeve bazë në tregje me 250%, Rusia nuk e ka shtuar furnizimin drejt Bashkimit Europian, duke u kufizuar vetëm në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale afatgjata. Së fundi, vetë politika për adresimin e ndryshimeve klimatike, ka ndikuar indirekt në rritjen e çmimeve. Në Britani, 15 milionë familje pritet të afektohen negativisht nga rritja e cmimit të energjisë. Në Itali, qeveria ka njoftuar qytetarët për një rritje prej 40% të faturave të tyre gjatë muajve të ardhshëm. Po kështu në Bullgari, çmimet shënojnë një rritje prej 72% nga fillimi vitit, duke e cuar çmimin mesatar të energjisë në 133 Euro/Mwh.  E gjithë kjo panoramë e situatës energjetike, me vetëm disa prej shembujve larg e afër nesh, vlen për të krijuar një ide të përgjithshme të kësaj krize, ku duam s’duam, edhe Shqipëria si të gjitha vendet e tjera, është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet pa u shmangur dot me këtë furtunë globale. Ekspertët mendojnë se pavarësisht implikimeve të mundshme sistemike, që kriza e jashtëzakonshme energjitike mund të ketë mbi të gjitha vendet, beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm”.

Përgjegjësia e qeverisë shqiptare, tha Rama, është të mbrojë sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël.

“Tanimë besoj se të gjithë ju, të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, i keni provat, se ne as nuk rrëzohemi as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre. Kini besim të plotë, siç kam edhe unë besim të palëkundur, se siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë dhe jini të sigurtë, se siç nuk na vunë përfund rrënojat e pafundme të tërmetit, e siç nuk na gjeti të papërgatitur sulmi i Armikut të Padukshëm, ashtu nuk na gjen të papërgatitur, e as as nuk na ve dot përfund as kjo krizë e jashtëzakonshme. Fatkeqësisht dhe pavarësisht prej dëshirës apo vullnetit tonë, këto vitet e fundit u bënë si ajo fjala, “nga lufta vijmë në luftë shkojmë”, por siç dolëm më të fortë nga tërmeti, e siç po dalim më të fortë edhe nga pandemia, çka e tregojnë kopshtet, shkollat, shtëpitë, lagjet e reja në rindërtim, siç e tregojnë edhe shifrat e ritmeve të rimëkëmbjes ekonomike, pas mbylljes dramatike të ekonomisë, kështu do të dalim edhe nga kjo fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare që nuk i kemi ne në dorë. Asnjë frikë, asnjë pasiguri, vetëm vendosmëri, durim e besim, se më e mira do të bëhet dhe Shqipëria do të vazhdojë të synojë majën që i kemi vënë vetes qëllim, në rrugëtimin sfidues të kësaj dekade të re ku sapo kemi hyrë”./A2 CNN

Related posts

Konferenca Rajonale e Transportit Detar, Balluku: Nxitje të sektorit përmes investimeve në të gjitha portet e vendit

D V

Rama homazhe për Saimir Hoxhën: Asgjë nuk e kompenson humbjen por shteti do të bëjë detyrën

D V

Rama nuk i ndahet Kurtit: Nuk mund t’i jepni mësim Shqipërisë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More