Shkup, 10 nëntor – Qeveria dhe sindikatat kanë diskutuar mundësinë e një rritjeje të pagës minimale, ku ka pasur propozime për ta rritur deri në 24.000 denarë (rreth 390 euro) në vitin 2024, me mundësinë që në vitin 2025 kjo shifër të arrijë deri në 27.000 denarë. Sidoqoftë, disa kritikojnë këtë rritje të mundshme si të pamjaftueshme për të përballuar koston e jetesës dhe për të siguruar një nivel jetese të dinjitetshëm për punonjësit me paga minimale. Përveç kësaj, një çështje tjetër që ka tërhequr vëmendjen është edhe rritja e ndihmave sociale për personat me nevoja të veçanta. Ndihmat sociale për këta individë janë rritur vetëm me 1000 denarë, një rritje që është konsideruar e pamjaftueshme për të siguruar mbështetje të mjaftueshme për përballimin e sfidave që ata hasin në jetën e përditshme. Ky fakt ka nxitur kritika për qeverinë dhe politikat e asistencës sociale.
Kryetari i Organizatës “SOS VITA”, Ertan Shaqiri, në një deklaratë për gazetën Koha kritikoi Qeverinë për rritjen e pagave për funksionarët shtetërorë, duke theksuar se njerëzit me nevoja të veçanta meritojnë mbështetje të njëjtë, pasi shpesh harrohen pas zgjedhjeve.
“Nuk e di edhe sa qeveri duhet të ndërrohen për ta kuptuar rëndësinë e këtyre personave me shumë vlera në shtet. Personalisht si kryetar u ofendova kur dëgjova deklaratën e kryeministrit për rritjen e pagave për funksionarët shtetërorë. Kur ka paga për funksionarë, përse mos të ketë edhe për njerëz me nevoja të veçanta?! Padyshim që kjo ndodh si shkak i mosballafaqimit me ne, ata shpesh harrojnë se njerëzit me nevoja të veçanta ekzistojnë edhe pas ditës së votimeve”, tha Shaqiri. Ai shtoi se as në ministritë që ata shpesh shkojnë, nuk ka vendkalime për persona me nevoja të veçanta, gjë që sipas tij, rruga drejtë BE-së duhet të filloj me rrugën e “veçantë” për ta.
“Nuk kemi vendkalime, isha te Ministria e Kulturës dhe ishte vërtetë vështirë, për të mos thënë e pamundur. Madje, edhe mendojnë të shkojnë drejtë BE-së, duke mos e ditur se çfarë të drejta gëzojnë atje personat me nevoja të veçanta. E mos të flasim për ‘ndihmat’ që u jepen atyre. Neve me 15 mijë qytetarë mundohen të na mashtrojnë, ndërsa me aq shumica furnizohen vetëm me ilaçe dhe disa ushqime elementare për në shtëpi”, shtoi ai, ndërsa bëri thirrje deri të institucionet kompetente, për të siguruar një jetë më të mirë për personat me nevoja të veçanta, në vendkalime, shkolla, e institucione.
Ndërkohë, ekonomistja Artina Neziri, deklaroi për gazetën Koha se rritja e pagës minimale duhet të shoqërohet me rritjen e shtesave sociale për personat me nevoja të veçanta, për të siguruar barazi dhe dinjitet.
“Si ekonomiste, dëshiroj të theksoj se rritja e pagës minimale është një hap i nevojshëm dhe i mirëpritur për përmirësimin e kushteve të jetesës së punëtorëve të zakonshëm në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, është thelbësore që rritja e pagës minimale të shoqërohet me një reflektim të ngjashëm në mbështetje për grupet më të cenueshme të shoqërisë, përfshirë personat me nevoja të veçanta. Ndihmat që ata marrin, përfshirë pagesat për mbështetje sociale dhe përkujdesje, duhet të përmirësohen dhe të përditësohen për të pasqyruar rritjen e kostos së jetesës dhe ndryshimet në ekonominë e përgjithshme”, tha ajo.
Neziri bëri thirrje për rritjen e ndihmave për personat me nevoja të veçanta, pasi sipas saj anashkalimi i tyre thellon pabarazitë dhe varfërinë.
“Duke lënë të pandryshuara ndihmat për këtë grup të shoqërisë, është e qartë se ne si shoqëri nuk e kemi adresuar plotësisht nevojën për një barazi më të madhe ekonomike. Kjo jo vetëm që është një padrejtësi sociale, por gjithashtu i thellon pabarazitë ekzistuese dhe mund të shkaktojë pasiguri dhe varfëri të përhershme për shumë individë të cenueshëm. Për këtë arsye, është urgjente që politika e shtetit të rishqyrtojë dhe të rrisë ndihmat për personat me nevoja të veçanta, duke siguruar që ata të kenë mundësinë të jetojnë me dinjitet dhe të kenë qasje në mundësi të barabarta, nënvizoi Neziri, duke shtuar se ky është një hap i domosdoshëm për të siguruar një shoqëri më të drejtë dhe më të përfshirë për të gjithë qytetarët, pa përjashtuar asnjë grup.
Ndër të tjera, sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (EShS), në vend ka mbi 94.000 persona me nevoja të veçanta, ndërsa 15.000 prej tyre shfrytëzues të ndihmës sociale shtetërore.