Shkup, 28 shkurt – Për mbi katër herë është rritur numri i kallëzimeve penale të dorëzuara nga Drejtoria Doganore përmes Departamentit për Kontroll dhe Hetime në Prokurorinë Themelore Publike dhe në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Që nga fillimi i këtij viti deri më tani janë paraqitur gjithsej 35 kallëzime penale kundër 69 personave fizikë dhe 16 personave juridikë, përderisa vitin e kaluar të njejtën periudhë janë paraqitur tetë kallëzime penale, thotë njeriu i parë i Drejtorisë Doganore Boban Nikollovski.
Ai në intervistën për lajmet qendrore të TVM-së potencoi se këtë vit për më pak se dy muaj ka 74 raste të sekuestrimeve, pas çfarë janë zbuluar shkelje dhe vepra penale. Kjo, sipas tij, paraqet rritje prej 64 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur janë paraqitur 45 kallëzime penale.
Në këtë rast, në dhjetë ditët e fundit përmes Departamentit për Kontroll dhe Hetime janë ngritur tetë kallëzime penale për kundër tetë personave fizikë dhe dy personave juridikë për vepër të kryer penale të falsifikimit të dokumenteve nga neni 378 i Kodit Penal.
Bëhet fjalë për dokumente të falsifikuara me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit në shumë prej 250 mijë denarë të cilat veçmë janë paguar përmes procedurës administrative. Në mënyrë shtesë është bërë kallëzim penal për falsifikimin e licencave për kryerjen e transportit të mallrave në komunikacionin rrugor ndërkombëtar nga institucioni kompetent. Ky është kallëzimi i tretë penal për një vepër të këtillë për një periudhë prej më pak se dy muaj.
Mbrëmjen e së martës është parandaluar kontrabanda e një sasie të madhe bizhuterish argjendi, afërsisht 18 kilogramë.
“Për më pak se dy muaj kemi 74 raste të sekuestrimeve, përderisa vitin e kaluar ishin vetëm 45. Kohë më parë kemi sekuestruar 188.6 kilogramë lëndë narkotike marihuanë. Mbrëmjen e së martës në vendkalimin kufitar Bogorodicë është parandaluar kontrabanda e gjithsej 18 kilogramë argjend dhe 180 copë parfume të falsifikuara në vlerë të përgjithshme prej 1,18 milionë denarë, për të cilat tashmë ka dhe kallëzim penal dhe aktgjykim nga PTHP Gjevgjeli kundër autorit, shtetas i Kosovës”, tha Nikollovski.
Në pyetjen se çfarë kalohet nëpër kufijtë e Maqedonisë, drejtori potencoi se vitin e kaluar tregtia e jashtme ka arritë në 18,8 miliardë euro, që, sipas tij, qartë tregon vështirësinë e punës së nëpunësve doganierë.