Një 34-vjeçar i vdekur dhe një 30-vjeçare e plagosur me armë të ftohtë në rrugën “B” në Prishtinë

nga D. V.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Rrugën B të Prishtinës, ku një burrë 34-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa një grua 30-vjeçare ka mbetur e plagosur si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur për Telegrafin se ngjarja u raportua rreth orës 15:00 në një ndërtesë të kësaj zone.

“Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjentë të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull, 34 vjeç, ndërsa e lënduara, femër 30-vjeçare, është dërguar për trajtim mjekësor,” deklaroi Ahmeti.

Sipas të dhënave fillestare, dy personat kanë pësuar plagë nga një mjet i mprehtë. Rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërkohë që hetuesit policorë po zhvillojnë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e viktimës dhe të të plagosurës, ndërsa nuk është konfirmuar ende nëse ka të dyshuar apo persona të ndaluar në lidhje me këtë ngjarje.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More