Mazda po përballet me një padi në SHBA, ku pronari i njërës prej veturave të tyre pretendon se ka një defekt të madh në atë që në fakt është një veçori shumë e zakonshme e sigurisë.
Padia u ngrit në Gjykatën e Qarkut të Kalifornisw nw SHBA. Pronari i Mazda CX-50 nga Pennsylvania, Joshua Meltzer, ka paditur prodhuesin e veturave duke kwrkuar 5 milionë dollarë pas një incidenti në të cilin vajza e tij u hodh nga automjeti në lëvizje.
Karakteristika në fjalë është kërkesa që drejtuesit të shtypin pedalin e frenave kur nisin veturën, kur në panelin e instrumenteve shfaqet mesazhi: “Shtypni pedalin e frenit për të nisur automjetin”.
Meltzer tha se e bleu CX-50 në maj dhe i mësoi vajzës së tij se si të përdorte automjetin. Dy javë më vonë, gjatë përpjekjes së saj të parë për të vozitur, ndodhi një incident, transmeton Telegrafi.
“Ajo më pas shtypi pedalin e frenave dhe e zhvendosi automjetin nga Park në Drive. Automjeti menjëherë lwvizi mbrapa. Ajo u përpoq ta kontrollonte atë, duke përfshirë presionin në frena, por as frenat dhe as timoni nuk reaguan.”
Vajza e Meltzer duket se ka menduar se shtypja e frenave nis veturën, në vend që të shtypte frenimin dhe më pas të shtypte përsëri butonin e nisjes.
Vajza e tij, mosha e së cilës nuk dihet, thuhet se u frikësua për jetën e saj dhe u hodh nga vetura nga dera e shoferit, dhe Mazda vazhdoi të lëvizte derisa u përplas në një bordurë dhe më pas në pemën e një fqinji, duke bërë që Meltzer të paguante dëmin.
Mazda mohoi që funksioni në CX-50 dhe mënyra se si funksiononte ishin të gabuara, kurse menaxheri i njw garazhi servisi në një përfaqësi të autorizuar i tha pronarit se automjeti ishte ndërruar në marsh ndërsa ishte në modalitetin aksesor, përpara se motori të ishte ndezur, gjë që bëri sistemet e drejtimit dhe të frenimit të paaftë për të punuar.
Pronari kërkon dëmshpërblim financiar dhe po ashtu pretendon se pronarët e Mazdave të pajisura me sistemin e ndezjes me buton që nga viti 2017 kanë paguar më tepër për veturat sepse, “defekti” ka bërë që vlera e tyre të ulet.