Një ditë do të dëgjojmë, se ‘puna e komisarit (Berishës) ishte loja’

Përjashtimi i Sali Berishës nga grupimi parlamentar i Partisë Demokratike, duket si një gjë e stisur, më tepër se një vendim zyrtar i asaj partie politike seroze. Kjo për faktin sepse, gjë e saktë dhe e besueshme, do të ishte në rast se Lulzim Basha vendoste të përjashtonte nga partia njeriun e shpallur “non-grata”.

Sepse e vërtetë dhe serioze do të ishte, që Lulzim Basha të dilte publikisht edhe para Parlamentit,dhe tu tregonte me vepra bindëse shqiptarëve, se ishte me amerikanët. Por ai, siç ka luajtur gjithë këto vite me demokratët apo dhe pasuesit e tij të flakur pabesisht, duket se diçka po “luan nën rrogoz” edhe me amerikanët. Kurrë nuk do të besoj, se Lulzim Basha e ka serozisht “përjashtimin e Berishës”.

Kurrë nuk do të besoj, se Lulzim Basha është korrekt dhe i sinqertë me amerikanët, kur dihet si është sjellë, dhe si i ka mashtruar ata për 8 vite në opozitë. Thonë se “huqi del me shpirtin”, ndaj nuk ka se si, të mos besoj se, edhe “vendimi i tij për Berishën” dhe deklarata se “nuk ka kthim pas”, një ditë të bukur do të duken si ajo shprehja e famshme e Ndrek Lucës tek filmi “Dueli i Heshtur”, se “puna e komisarit ishte loja”.

Ashtu ka për të ndodhur edhe me Bashën, kur një ditë do të na shfaqet dhe do të deklarojë se “përjashtimi i Sali Berishës nuk ishte i nevojshëm”. Prova më e fortë dhe argumenti më real i këtij parashikimi është deklarata e tij para 2 ditësh, kur tha se “Sali Berisha ka kontribute të çmuara në vendosjen e demokracisë në Shqipëri, ai padyshim mbetet lideri historik i Partisë Demokratike”. Asgjë nuk duhet ti marrim seriozisht Bashës, edhe kur thotë se “jam me amerikanët, jam perëndimor” pasi takon zonjën Kim, ashtu siç për 8 vjet asgjë nuk bëri për opozitarizmin, edhe pse përhapte vetë tymnajën se “gjithçka e vendos Berisha në PD”.

Dhe në fakt, Lulzim Basha ka shumë “histori” me Berishën, të cilat një ditë ai (Doktori) mund ti nxjerrë nga arkiva e tij, dhe t’ja servirë organeve kompetente, në rastin më të parë ambasadores së SHBA-së zonjës Kim. Askush nuk e beson, se Doktori ka ndenjur si guak , si gjatë periudhës 8 vjeçare kur qeveriste, ashtu edhe gjatë 8 viteve të tjera kur Basha drejtonte de jure partinë e tij. Eshtë në natyrën e Sali Berishës, faktmbledhja për bashkëpunëtorët, vartësit dhe cilindo, që nesër do të përpiqej ta sfidonte, largonte apo akuzonte.

Sinjalet e para Saliu i ka dhënë vetëm 24 orë pas vendimit të Bashës, kur deklaroi se “e kam mbajtur dhe shpëtuar disa herë, kur ai ka qenë në situata kritike edhe brënda Partisë Demokratike”. Shumë prej deklaratave të Berishës, nënkuptojnë reagime të egra të mëvonshme të tij, në rast se Lulzim Basha do të vazhdojë me kokëfortësi në rrugën e nisur. Ai e di fare mirë se, Basha kurrë nuk do të guxojë ta përjashtojë as nga partia, dhe as nga selia e saj, aq më tepër nga Këshilli Kombëtar i partisë.

Hamendësimet se “vendimi i përjashtimit nga grupi parlamentar është lojë”, janë më të besueshme kur Basha deklaron se “jam i gatshëm të takoj Berishën në çdo moment”, a thua se mes tyre ka vite që ekziston heshtja. Hapi i Lulit nuk do të shkojë më gjatë se “vendimi i marrë”, ndaj Berisha ka vendosur ta shpjerë deri në fund skenarin, duke e nisur me takimet e tij me bazën, dhe pastaj duke arritur tek pika kulmore, “caktimi i një takimi pune me Lulin për të mirën e partisë”. Kjo edhe për faktin sepse Lulzim Basha e di fare mirë se, përçarja e bazës nuk do ti japë kurrë atij fitoren e shumëpritur, pale të mendosh se një ditë ai mund të bëhet kryeministër, pa “hijen” dhe ndihmën e Berishës….

Related posts

SHBA dhe Shqipëria, marrëveshje për pasuritë kulturore

Redaksia

Shqipëri, miratohet projekt-buxheti 2022, rritje pagash për disa kategori

D V

Rama: Në këtë mandat qeverisës do të lobojmë për njohjen e Kosovës

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More