Shkup, 9 korrik – Një helikopter prej sot në mëngjes merr pjesë në shuarjen e zjarrit mbi fshatin Nikoliç në rrethinën e Dojranit, ndërsa një “er traktor” i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim do të përfshihet në shuarjen e zjarrit mbi fabrikën “Samokov” në komunën Makedonski Brod.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, pret që këto dy zjarre të rënda të vihen nën kontroll të plotë gjatë ditës.
“Fokusi ynë sot do të jetë në shuarjen e zjarrit në rajonin e Dojranit mbi fshatin Nikoliç. Këtu ka një digë shumë të vogël që helikopteri po e përdor për të mbushur ujë dhe po vepron në këtë zjarr të rëndë, i cili ndodhet në terren jashtëzakonisht të pjerrët. Për këtë arsye sot përdorim helikopter, i cili me fluturime të shkurtëra prej tre deri katër minuta vepron shpejt dhe në mënyrë efektive mbi zjarrin. Supozimi im është se brenda pak orësh ky zjarr do të vihet nën kontroll të plotë, e besoj se edhe do të shuhet”, theksoi Angelov.
Angelov shpreson se sot do të vihet nën kontroll zjarri mbi fabrikën Samokov në Makedonski Brod.
Herët në mëngjes, siç informoi, është shuar plotësisht zjarri që për tre ditë ishte aktiv në atarin e Çuçer Sandevës.
