Shkup, 19 tetor, zhurnal.mk – Masa të reja kufizuese si mbyllja e ekonomisë për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve do të nënkuptojë kolaps për një numër të madh të ndërmarrjeve. Sipas akademikut Izet Zeqiri, sektori privat nuk mund të mbijetojë një periudhë tjetër karantine. Sipas tij, është e nevojshme të shtohen kontrollet e inspektimit në objektet hotelierike, dhe në të gjitha vendet e tjera ku lëvizin të rinjtë. Inspektoratit të tregut duhet t’i japin mbështetje edhe inspektoratet e tjera.
Akademiku Zeqiri beson se tre pakot e masave deri më tani nuk kanë dhënë efektet e dëshiruara. Ai shton se pakoja e katërt e masave duhet të rrisë numrin e punëtorëve që do të marrin pagë minimale dhe e njëjta të përfundojë në llogaritë e punëtorëve në mënyrë që të mos ketë keqpërdorim të mundshëm të parave të shtetit dhe qytetarët të mos kenë asnjë obligim për të pritur para bankave.